Fatjon Cuka
20 tetor 2024•Përditësim: 21 tetor 2024
Në Shqipëri është organizuar edicioni i tetë i Maratonës së Tiranës, duke marrë pjesë mijëra vrapues nga vende të ndryshme, raporton Anadolu.
Garuesit në maratonë morën pjesë në disa kategori, 10 km, 21 km, si dhe maratona e plotë 42 km, ndërkohë. në përfundim të saj u ndanë edhe çmimet sipas kategorive.
Sipas njoftimit të Bashkisë së Tiranës, në garën ndërkombëtare në kategorinë 42 km për femra në vend të parë u rendit atletia shqiptare Luiza Gega, ndërsa për meshkuj në këtë kategori në vend të parë u rendit Cosmas Kigen nga Kenia.
Në kategorinë 21 km për femra, Valentine Benedek Jebet nga Kenia zuri vendin e parë, ndërkohë, për meshkuj u rendit i pari në këtë kategori Kennedy Kipkmoi Rono, po nga Kenia.
Në kategorinë 10 km për femra fituesja e garës ishte Gresa Bakraqi nga Kosova, ndërkohë që nga meshkujt fitues u shpall David Nikolla nga Shqipëria.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka dorëzuar çminin e vendit të parë të Maratonës së Tiranës në kategorinë 42 km për femra, atletes Luiza Gega.
Gjatë fjalës së tij, Veliaj u shpreh se ky vit ka qenë i jashtëzakonshëm për kryeqytetin, ndërsa shtoi se shumë prej të huajve që kanë ardhur në Tiranë për maratonën "kanë një motiv më shumë për t’u rikthyer vitin tjetër dhe për të investuar në kryeqytet".
Ndërkohë, pjesë e maratonës ishin edhe kategori të tjera, ndërsa sipas kategorive u ndanë edhe çmime specifike për garuesit nga Shqipëria.
Maratona është organizuar nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe me mbështetjen e institucioneve të ndryshme. Në maratonë kanë marrë pjesë mijëra vrapues profesionistë dhe amatorë nga Shqipëria dhe shtete të tjera.