Abdula Berisha
14 Nëntor 2019•Përditësim: 15 Nëntor 2019
Oda Ekonomike Maqedonase -Turke (MATTO) organizon një punëtori në të cilën diskutohen dhe analizohen nevojat e sektorit privat, si dhe mundësitë e rritjes së qëndrueshmërinë ekonomike në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).
Bashkëkryetari i MATTO-s dhe njëherësh drejtori i kompanisë "TAV Maqedoni", Alper Ersoy, tha se qëllimi i punëtorisë në të cilën prezantojnë donatorë, akademikë dhe përfaqësues të sektorit privat, është që të tërhiqen sa më shumë investime të huaja në Maqedoninë e Veriut.
"Sot ne jemi këtu për të pasur një punëtori për të kuptuar, për të analizuar nevojat e sektorit privat dhe për të rritur bashkëpunimin me donatorët dhe sektorin privat, për të rritur qëndrueshmërinë ekonomike në vend dhe për të tërhequr më shumë investime të huaja të drejtpërdrejta në vend. Në mënyrë që të kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen, që të kemi një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, ne po diskutojmë se cilat janë problemet ekzistuese, çështjet, shqetësimet, sfidat dhe mundësitë tona", tha Ersoy.
Ai gjithashtu tha se pas përfundimit të punëtorisë, është paraparë që të përpilohet një listë e cila do t'u dërgohet Qeverisë dhe institucioneve, listë e cila do të përmbajë nevojat e sektorit privat dhe atë se çfarë ky sektor mund të bëjë në bashkëpunim me institucionet shtetërore.
Ilija Gospodinov, nga Oda Ekonomike të teknologjisë së informacionit MASIT, tha se kjo punëtori është një mundësi e mirë për të biseduar më gjerësisht për problemet e sektorit privat.
"Ajo që ne presim të ndodhë sot është të bisedojmë në detaje për çështjet që na shqetësojnë të gjithëve, në mënyrë që të arrijmë një rritje më të madhe ekonomike. Kjo do të thotë, sipas mendimit tim, fillimisht diskutim midis nesh por edhe me ata që krijojnë politikat, në aspekt të asaj se cili duhet të jetë fokusi ynë në nivelin kombëtar, në cilin drejtim duhet të lëvizim rritjen ekonomike", tha Gospodinov.
Pasi të përcaktohet fokusi në nivel kombëtar, Gospodinov tha se duhet të përcaktohen edhe mekanizmat ndihmës, duke vënë theksin tek arsimi, i cili do të ishte në mbështetje të rritjes më të lartë ekonomike, sidomos në industritë moderne.