Dzihat Aliju
17 Mars 2020•Përditësim: 17 Mars 2020
Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se janë konfirmuar edhe tre raste me koronavirus (COVID-19), me çka numri i përgjithshëm i të infektuarve është ngjitur në 26 persona, raporton Anadolu Agency (AA).
“Gjendja e të gjithë pacientëve është stabile e pandryshuar që nga dita e djeshme. Deri më sot në vend gjithsej ka 26 persona të sëmurë. Sot në mëngjes janë testuar 10 pacientë. Pozitiv janë testet e tre pacientëve të cilët janë testuar në klinikën 'Zhan Mitrev' dhe sot në Institutin për Shëndet Publik i bëmë testet kontrolluese me qëllim unifikimin e konfirmuan rezultatin e tyre. Bëhet fjalë për pacientë nga Shkupi”, deklaroi ministri Filipçe.
Filipçe tha se nga pacientët e infektuar me koronavirus 17 janë në Shkup, ndërsa 9 në Dibër.
Në pyetjen e gazetarëve se kur e pret kulmin më të madh të të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut, ministri Filipçe tha se, “Vështirë është të parashikohet dhe këtë që do ta them merreni me rezerva për shkak se gjithçka është supuzim, vlerësim, matematikë… Ka mundësi që numri i pacientëve të sëmurë në vendin tonë të arrijë 2.000, ndërsa kulmi të jetë diku pas një muaji”.
Ministri Filipçe u pyet edhe për problemin me maskat që qytetarët i përdorin si masë parandaluese kundër koronavisurit.
“Maskat nuk janë diçka që na shqetësojnë, me të vërtetë kemi diku mbi 20 mijë në disponim dhe leje nga Byroja për furnizime publike dhe nga Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit në pajtim me urgjencën e situatës, jo vetëm Ministria por çdo institucion të furnizojë për vete”, porositi ministri Filipçe.