15 Shtator 2022•Përditësim: 16 Shtator 2022
Me ngjarjen "Maqedonia e Veriut dhe OSBE, 30 vjet partneritet" u shënua 30-vjetori i vendosjes së misionit të OSBE-së në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).
Në panel diskutimin e organizuar me këtë rast, të pranishëm ishin ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, shefi i misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Clemens Koja si dhe diplomatë të shumtë.
Ministri Osmani gjatë fjalës së tij tha se misioni i OSBE-së në Maqedoninë e Veriut bëri ndikim thelbësor në zhvillimin e vendit. Duke rikujtuar se në vitin 1992 u themelua misioni në Shkup, për të parandaluar përhapjen e luftës nga ish-Jugosllavia në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Osmani tha se më vonë misioni kishte rol të rëndësishëm me zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Ai tha se Maqedonia e Veriut nga viti 1993 deri në vitin 1995 kishte vetëm statusin e vëzhguesit dhe për disa probleme, nuk mund të bëhej vend pjesëmarrës ndërsa nga viti i ardhshëm, vendi merr kryesimin e organizatës.
"Tani, imagjinoni simbolikën, një vend konsumator i shërbimeve të sigurisë së OSBE-së, një vend që nuk mund të bëhej vend pjesëmarrës për dy vjet duke pasur statusin e vëzhguesit, sot ka privilegjin dhe njohjen për kryesimin e organizatës më të madhe rajonale të sigurisë", tha Osmani.
Ai theksoi se kjo presidencë po zhvillohet në një periudhë jashtëzakonisht historike, kur arkitektura evropiane e sigurisë është tërësisht e prishur.
Përkundër luftës në Ukrainë, Osmani tha se konfliktet e ngrira do të jenë prioritet gjatë kryesimit të OSBE-së nga Maqedonia e Veriut.
"Ja, e shihni se çfarë po ndodh këto ditë midis Azerbajxhanit dhe Armenisë. Pra, ato konflikte të ngrira kanë gjithmonë potencialin të shpërthejnë në një moment të paplanifikuar dhe të paparashikuar dhe OSBE-ja ka një rol të rëndësishëm në parandalimin e këtyre konflikteve", tha Osmani.
Ai u shpreh se Maqedonia e Veriut e di ndikimin dhe përfitimet që sjell misioni i OSBE-së në terren, duke shtuar se gjatë presidencës me organizatën, do të vihet theksi në misionet në terren të OSBE-së kudo që ato shpërndahen. Megjithatë, ai theksoi se kjo është e vështirë, për shkak të polarizimit aktual të shkaktuar nga Rusia.
Shefi i misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Clemens Koja, gjatë fjalës së tij rikujtoi se roli i OSBE-së në Maqedoninë e Veriut u zgjerua pas konfliktit të armatosur në 2001 dhe me arritjen e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ndërsa pas kësaj aktivitetet e organizatës kanë qenë kryesisht në ofrimin e mbështetjes gjatë përpilimit dhe zbatimit të ligjeve.
"Gjatë viteve, stafi ynë shumë i aftë, shumica prej tyre qytetarë të Maqedonisë së Veriut, kanë mbështetur hartimin e ligjeve të rëndësishme, përfshirë Ligjin për Avokatin e Popullit, Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe disa ligjeve tjera që kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor. Ne vazhdojmë këtë punë edhe sot, duke mbështetur hartimin e Kodit të ri Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale", tha ambasadori Koja.
Ai u shpreh se OSBE-ja i kushton rëndësi edhe zbatimit të ligjeve, duke punuar në trajnimin e palëve të përfshira për të zbatuar ligjet.