Agim Sulaj
15 Shtator 2022•Përditësim: 16 Shtator 2022
Kuvendi i Republikës së Kosovës nën ombrellën e Forumit për Transparencë Parlamentare ka shënuar me aktivitete të ndryshme Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se transparenca dhe llogaridhënia janë parakushtet kryesore për funksionimin e demokracisë, prandaj puna e këtij forumi deri tash ka kontribuar në krijimin e një fryme parlamentare duke e bërë Kuvendin e Kosovës të qasshëm dhe të hapur për publikun.
Konjufca tha se sipas "Open Data Kosova", Kosova qëndron në vendin e dytë në rajon sa i përket transparencës, megjithëse synim është që ajo të bëhet e para.
Ai tha se Kosova ka kaluar dy vite të vështira në pandemi ndërsa në aspektin global janë vërejtur aspekte të një “erozioni” të demokracisë ku të gjitha shtetet që nuk kanë vullnet demokratik edhe më tej e kanë keqpërdorur krizën e pandemisë.
“Shtete të ndryshme e kanë keqpërdorë krizën që ta thellojnë edhe më shumë autoritarizmin dhe në shumë vende të botës është forcuar autokracia. Prandaj, mendoj se do të jetë një kauzë e përgjithshme e gjithë vendeve demokratike ku besojmë fort se edhe Kosova është aty, që të marrin pjesë në të gjitha iniciativat dhe përpjekjet e përbashkëta që ta forcojnë edhe më tutje demokracinë, sepse ajo mund të them që sot kurrë nuk ka qenë më e pasigurt në botë”, theksoi Konjufca.
Drejtorja e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) për Kosovë, Nancy Soderberg tha se demokracia në Kosovë aktualisht është e vështirë, për shkak të problemeve me pandeminë e COVID-19, situatës rajonale, tensionet në vend si dhe ndikimi i luftës në Ukrainë.
“Jo rastësisht Kosova është një nga vendet me më së shumti barazi gjinore. Unë thash se demokracia është e vështirë, por, pa gra, është e pamundur. Është e jashtëzakonshme të shohësh kontributin e gjithanshëm të grave në Kosovë”, theksoi Soderberg.
Në kuadër të shënimit të kësaj dite para godinës së Kuvendit po mbahet edhe panairi i shoqërisë civile, garë shahu nga persona të verbër, debate dhe aktivitete të tjera që afirmojnë demokracinë.
15 shtatori u përcaktua nga Kombet e Bashkuara si ditë ku shënohet progresi shoqëror dhe vlerat që përfaqësojnë sistemin demokratik të qeverisjes.