Abdula Berisha
01 nëntor 2023•Përditësim: 01 nëntor 2023
Në Maqedoninë e Veriut u mbajt mbledhja e 19-të e Këshillit të Sigurisë, ku është diskutuar për situatën e sigurisë në vend dhe rajonin euroatlantik, raporton Anadolu.
Siç njoftuan nga Kabineti i Presidentit, me ftesë të presidentit Stevo Pendarovski, përveç anëtarëve të Këshillit të Sigurisë në seancë kanë marrë pjesë edhe drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe drejtori i Agjencisë për Inteligjencë.
"Përfaqësuesit e institucioneve informuan për çështjet aktuale të sigurisë që kanë të bëjnë me vendin dhe rajonin më të gjerë, përfshirë agresionin rus kundër Ukrainës, zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe situatën në veri të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Për sa i përket situatës së sigurisë në vend, u vlerësua se ajo është stabile dhe se nuk ka të dhëna për rreziqe të mundshme.
Në njoftim thuhet gjithashtu se si anëtare e NATO-s, Maqedonia e Veriut është në koordinim të rregullt me Aleancën dhe aleatët lidhur me aktivitetet e ndërmarra për forcimin e sigurisë në zonën euroatlantike.
“Në seancën e Këshillit të Sigurisë u konstatua nevoja që institucionet kompetente të vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe të përgatisin skenarë të mundshëm sipas zhvillimit të ngjarjeve, me qëllim që sa më shpejt të ndërmerren masat dhe aktivitetet në kompetencë të tyre”, thuhet në njoftim.