Agim Sulaj
01 nëntor 2023•Përditësim: 01 nëntor 2023
Është mbajtur në Prishtinë ceremonia hapëse e Samitit të Ballkanit Perëndimor Kundër Diskriminimit Racor e organizuar nën udhëheqjen e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, raporton Anadolu.
Në këtë ceremoni morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, drejtori ekzekutiv i Zërit të Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve, Isak Skenderi, si dhe krerë rajonalë, liderë institucionalë e përfaqësues të shoqërisë civile, që së bashku do të shkëmbejnë përvojat për adresimin dhe eliminimin e diskriminimit racor në Ballkanin Perëndimor.
Nën sloganin “Unitet në diversitet”, objektivat e samitit përfshijnë rritjen e ndërgjegjësimit për efektet negative të diskriminimit racor, identifikimin dhe adresimin e shkaqeve kryesore të diskriminimit racor, diskutimin e strategjive për luftimin e diskriminimit racor, shkëmbimin e përvojave më të mira në rajon dhe bashkëpunimin e pjesëmarrësve nga vendet e rajonit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se është obligim që secili prej qytetarëve të kontribuojë që në Kosovë askush të mos ndihet i diskriminuar, sidomos në aspektin racor.
Ajo tha se diskriminimi racor është fenomen që nuk mund të injorohet dhe shpesh merr konotacion më të gjerë se ofendimi i një individi.
“Lufta kundër diskriminimit racor nuk është vetëm barrë e atyre që preken drejtpërdrejtë prej tij, është përgjegjësi e secilit prej nesh në radhë të parë si institucione, por edhe e çdo qytetari që të luftojë diskriminimin e tillë në mënyrë që të sigurohemi që çdokush që jeton në vendin tonë të ndihet i përmbushur ta realizojë potencialin, ta manifestojë përkatësinë e vet dhe të jetojë e prosperojë lirshëm”, theksoi Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shtetet e Ballkanit Perëndimorë përfitojnë nga diversiteti etnik dhe po ashtu ato degradojnë kur nuk ka luftim të diskriminimit.
Kurti në fjalën e tij tregoi disa raste kur disa individë nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian janë diskriminuar derisa po ashtu shpalosi disa prej ndihmave nga qeveria për këto komunitete.
“Ne komunitetet nuk i duam vetëm në punët private por edhe në detyrat më të rëndësishme shtetërore. Ka ende edhe shumë për të bërë punë, por ky rrugëtim lehtësohet me bashkëpunëtorë dhe bashkudhëtarë si ju, në udhën tonë të përbashkët në të cilën jemi së bashku”, theksoi Kurti.
Qeveria e Kosovës për herë të dytë është nikoqire e Samitit të Ballkanit Perëndimor Kundër Diskriminimit Racor, një ngjarje vjetore që bashkon qeveritë, organizatat e shoqëritë civile, ekspertë të pavarur të komuniteteve për ta trajtuar kolektivisht çështjen e diskriminimit racor kundër komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në rajon.