Ahmed Muharem
13 korrik 2023•Përditësim: 24 korrik 2023
Mali i Zi sot feston Ditën e Shtetësisë, duke përkujtuar 13 korrikun e vitit 1878, kur u njoh si shtet i pavarur në Kongresin e Berlinit si dhe të njëjtën datë në vitin 1941, kur populli malazez nisi kryengritjen kundër fashizmit, raporton Anadolu.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, me rastin e Ditës së Shtetësisë, organizoi të mërkurën një pritje, nga ku tha se nuk ka datë më të rëndësishme për popullin malazez se 13 korriku.
Ai tha se luftërat shekullore për mbijetesë, në udhëkryqin shkëmbor të Evropës, e bënë Malin e Zi një simbol të këmbënguljes, të cilës çdo pëllëmbë lirie u pagua shtrenjtë me jetën e bijve dhe vajzave më të mira.
Millatoviq tha se nuk ka 13 korrik 1941 pa 13 korrikun e vitit 1878.
Sipas tij, dy data identike në të njëjtin muaj, me 63 vjet ndërmjet tyre, në fakt janë një simbiozë e lirisë dhe sfidës, si përcaktuesit më të rëndësishëm të karakterit të aspiratave të shtetit të Malit të Zi.
"Nuk ka datë më të rëndësishme për popullin tonë se kjo, për çka edhe jemi mbledhur këtu, sepse me këtë përmbyllet vlera vertikale e zhvillimit të vendit tonë, bazuar në lirinë, antifashizmin dhe barazinë", tha Millatoviq.
Në pritjen në Pallatin e Kaltër në Cetinje morën pjesë përfaqësues të jetës politike, shkencore, kulturore, ekonomike dhe sportive të Malit të Zi, heronj kombëtarë dhe ish-zyrtarë të lartë shtetërorë. Aty ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe zyrtarë të lartë të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare.