Agim Sulaj
05 Dhjetor 2019•Përditësim: 06 Dhjetor 2019
Në Prishtinë sot është mbajtur konferenca ndërkombëtare “Liria e Shprehjes dhe Jurisprudenca Kushtetuese në Ballkanin Perëndimor”, e organizuar nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Qëllimi i kësaj konference ka qenë shkëmbimi i përvojave të Gjykatave Kushtetuese të rajonit në fushën e lirisë së shprehjes si dhe shkëmbimi i praktikave më të mira gjyqësore rajonale në raport me Gjykatën Evropiane të të Drejtave të njeriut dhe kornizës ligjore për mbrojtjen e mjedisit të pavarur, të shumëllojshëm dhe pluralist në media.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama-Hajrizi tha se duke qenë një nga të drejtat themelore të njeriut, liria e shprehjes “është e lidhur ngushtë me kornizën ligjore e kushtetuese të çdo vendi, e rrjedhimisht me Gjykatën Kushtetuese”.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk e ka kufizuar veten vetëm duke u mbështetur në interpretimet e dispozitave të Kushtetutës të vendit ekskluzivisht, kur është fjala për respektimin e kësaj të drejte themelore. Ajo gjithmonë ka marrë parasysh dhe ka bërë krahasime me praktika të konsoliduara të gjykatave kushtetuese evropiane dhe çdo herë ka aplikuar me besnikëri nenet e konventës evropiane për të drejtat e njeriut dhe në përputhje me vendimet e Gjykatës së Strasburgut”, tha Rama-Hajrizi.
Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl, tha se sfidat të cilat do të diskutohen në këtë konferencë nuk janë unike vetëm për Kosovën apo Evropën Juglindore, por ato janë sfida globale.
Grondahl konsideron se është shumë i rëndësishëm bashkëveprimi i shteteve të Evropës Juglindore për mbrojtjen e lirisë së shprehjes.
“Sfida të reja po dalin në pah derisa ne kemi futur në përdorim teknologjinë e përparuar, mediat sociale dhe ndryshimet politike. Përveç kësaj ka edhe disa ndryshime tradicionale. Ne nuk duhet të qëndrojmë pasiv, por duhet të bëhemi rojtarë të lirive tona. Qeveritë duhet të angazhohen për të mbështetur sundimin e të drejtave themelore të njeriut dhe lirinë e medieve. Pse? Sepse këto janë kushte për një qeverisje demokratike dhe stabilitet”, tha Gorndahl.
Zëvendës-avokati i popullit, Majlinda Sinani-Lulaj, tha se liria e fjalës është parakusht për progres të përgjithshëm. Sinani-Lulaj tha se “vënia e baraspeshës mes lirisë së shprehjes dhe kufizimit, sa herë që kjo është domosdoshmëri dhe e bazuar në profesionalistet, është substanciale”.
Diskutimet dhe prezantimet në këtë ngjarje do të rezultojnë në përgatitjen e një përmbledhjeje të praktikave më të mira, rasteve dhe publikimeve për sfidat e përmendura më lart dhe rolin e rishikimit kushtetues që synon mbrojtjen e një mjedisi të favorshëm për media me të vërtetë të pavarura.
Përfaqësuesit përkatës të gjykatave kushtetuese të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës, Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, akademisë si dhe përfaqësues të shoqatave të gazetarëve dhe medieve kanë paraqitur situata në kontekstet e tyre përkatëse dhe kanë diskutuar më tej për modalitetet për bashkëpunim dypalësh rajonal.