BALLKANI

Linde: Është kyçe që Maqedonia e Veriut të qëndrojë në reformat intensive

Pas takimit kokë më kokë, ministrat Dimitrov dhe Linde, mbajtën konferencë të përbashkët në të cilën theksuan se në fokusin e bisedimeve ka qenë tema e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut

Husamedin Gina  | 18.11.2019 - Përdıtësım : 19.11.2019
Linde: Është kyçe që Maqedonia e Veriut të qëndrojë në reformat intensive Foto: Husamedin Gina/AA

Shkup

Ministrja e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Suedisë, Ann Linde, sot qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me ftesë të shefit të diplomacisë Nikolla Dimitrov, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit kokë më kokë, ministrat Dimitrov dhe Linde, mbajtën konferencë të përbashkët shtypi në të cilën theksuan se në fokusin e bisedimeve ka qenë tema e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Dimitrov duke falënderuar për mbështetjen shumë vjeçare të Suedisë lidhur me aspiratat evropiane të Maqedonisë së Veriut, tha se vizita në këto momente është vizitë inkurajimi.

“Nënkuptohet se në këtë moment kjo vizitë është vizitë e inkurajimit. Vjen pas mosmiratimit të vendimit dhe bartjen e çështjes para samitit të pranverës vitin e ardhshëm në Zagreb nga ana e Bashkimit Evropian. Biseduam për implikimet e këtij vendimi, për procesin tonë reformues, për gjendjen në vend por edhe më gjerë në rajonin”, tha Dimitrov.

Ndërkaq, duke theksuar se Suedia dhe Maqedonia e Veriut kanë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale, ministrja Linde tha se Suedia siguron ndihmë të konsiderueshme për Maqedoninë e Veriut për zhvillimin e saj ekonomik, në sferën e të drejtave të njeriut dhe mjedisin cilësor jetësor.

“Është kyçe që Maqedonia e Veriut të qëndrojë në reformat intensive. Marrëveshja historike e Prespës është me rëndësi thelbësore dhe me rëndësi kyçe për prosperitetin në rajon”, tha Linde.

Ajo tha se Suedia edhe më tej do të ofrojë mbështetje për proceset integruese në rajon dhe se janë duke u bërë diskutime për rishikim të procesit për zgjerimin e BE-së.

Në pyetjen gazetareske nëse e kanë zhqyrtuar propozimin e Francës për metodologjinë e re, ministrja Linde tha se "non-paper"-i i Francës ka arritur të premten dhe ende nuk është analizuar tërësisht dhe se nuk është e gatshme të thotë asgjë.

Ministri Dimitrov poashtu tha se "non-paper"-in e kanë marrë të premten pasdite dhe se i njëjtë është në analiza themelore.

Në kuadër të vizitës ministrja Lindje do të pritet edhe nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ndërsa do të takohet edhe me zëvendës/kryeministren dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe me zëvendës/kryeministrin për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın