BALLKANI

Kurti bisedoi me Kryetarin e Presidencës së BeH, Xhaferoviç

"Me këtë rast, Xhaferoviç falënderoi kryeministrin në detyrë Kurti për vendimin për largimin e tarifës 100 për qind ndaj mallrave nga Bosnjë dhe Hercegovina", thuhet në komunikatë

Agim Sulaj   | 22.05.2020
Kurti bisedoi me Kryetarin e Presidencës së BeH, Xhaferoviç

Kosova

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryetarin e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës dhe njëherësh anëtar boshnjak i Presidencës, Shefik Xhaferoviç, ku kanë diskutuar për disa çështje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton përmes një komunikate nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në fillim të bisedës ata diskutuan në lidhje me situatën me koronavirusin e ri (COVID-19) në vendet respektive, duke i komunikuar njëri-tjetrit masat që qeveritë e dy vendeve kanë ndërmarrë në luftimin dhe menaxhimin e përhapjes së koronavirusit.

"Ata biseduan për marrëdhëniet bilaterale, lëvizjen e lirë të mallrave dhe të personave në mes dy shteteve. Me këtë rast, Xhaferoviç falënderoi Kryeministrin në detyrë Kurti për vendimin për largimin e tarifës 100 për qind ndaj mallrave nga Bosnjë e Hercegovina", thuhet në komunikatë.

Siç theksohet në komunikatë, Kurti ka thënë se Kosova nuk duhet ta trajtojë njësoj Bosnjë e Hercegovinën sikurse Serbinë.

"Të dy konstatuan se kërcënimi më i madh me të cilin përballemi në dy vendet është lloji i politikës që nuk pati sukses gjatë luftës në vitet 90-ta, dhe se ideja e shkëmbimit territorial në mes Kosovës dhe Serbisë është e rrezikshme pasi e njëjta na kthen në vitet e 90-ta, njofton komunikata.

Në fund, Kryeministri në detyrë Kurti dhe Kryetari i Presidencës Xhaferoviç theksuan dhe u pajtuan se bashkëpunimi në nivel kulturor dhe historik duhet të forcohet, derisa ripërsëritën zotimin se Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina mbeten të përkushtuara në anëtarësimin e tyre në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Anëtarët e kabinetit të Qeverisë në detyrë të Kosovës kanë votuar më 1 prill për shfuqizimin e vendimit të tarifës 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, vendim i cili ka qenë në fuqi që nga nëntori i vitit 2018.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın