Fatjon Cuka
19 Shkurt 2025•Përditësim: 20 Shkurt 2025
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ka zhvilluar një vizitë dyditore në Kuvajt, ndërkohë është takuar me zyrtarë të lartë të vendit, transmeton Anadolu.
Në një reagim në rrjetet sociale, ministri Hasani ka shkruar se ka patur diskutime produktive në Kuvajt me homologun e tij Abdullah Ali Al-Yahya, duke theksuar se kanë riafirmuar sipas tij lidhjet e forta midis dy vendeve dhe kanë kërkuar mënyra për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në sektorë kyç.
"Ne ramë dakord të inkurajojmë më shumë shkëmbime në të ardhmen, duke përfshirë vizitat e nivelit të lartë, për të forcuar më tej partneritetin tonë. Unë ritheksova gjithashtu hapjen e Shqipërisë ndaj investimeve të drejtpërdrejta të Kuvajtit, veçanërisht në energji, infrastrukturë, bujqësi dhe teknologji të përparuar", ka shkruar Hasani.
Gjithashtu Hasani ka theksuar se kanë nënshkruar një memorandum për të rritur bashkëpunimin midis akademive diplomatike, sipas tij, duke rritur mundësitë e trajnimit për diplomatët e rinj.
Gjatë vizitës në Kuvajt, kryediplomati i Shqipërisë është takuar edhe me zyrtarë të tjerë të vendit.