Kosovë, zbulohen mbetje strukturore e ndërtesave të periudhës osmane
"Muri në fjalë shtrihet në drejtim veri-jug por duhet theksuar se ky orientim nuk përkon me orientimin e vetë objektit të Xhamisë, duke sugjeruar që mund t’i përkasë një ndërtesë të mëvonshme dhe të pavarur nga struktura e Xhamisë", thotë raporti

Prishtinë
Prapa objektit të Kuvendit të Kosovës, pranë Xhamisë së Çarshisë në qendër të Prishtinës, punimet në rrugë kanë çuar në zbulimin e mbetjeve strukturore të ndërtesave të periudhës osmane, raporton Anadolu.
Punimet në anë të rrugës kryesore "Agim Ramadani" të cilat u ndërprenë javën e kaluar për shkak të mungesës së lejes nga institucionet e trashëgimisë kulturore, nxorën në pah strukturë të ndërtesave osmane, sipas arkeologëve të Institutit Arkeologjik të Kosovës.
Instituti Arkeologjik i Kosovës në raportin e bërë për këtë rast, ka zbërthyer se në gropën e hapur afër Xhamisë, është ekspozuar një strukturë muri, i ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqeror me dimensione të dokumentuara prej rreth 90 centimetra gjerësi dhe 1 metër e 80 centimetra lartësi.
"Muri në fjalë shtrihet në drejtim veri-jug por duhet theksuar se ky orientim nuk përkon me orientimin e vetë objektit të Xhamisë, duke sugjeruar që mund t’i përkasë një ndërtesë të mëvonshme dhe të pavarur nga struktura e Xhamisë", shkruhet në raportin e hartuar nga arkeologët.
Punimet në këtë pjesë janë bërë me leje të Komunës së Prishtinës, por, pa miratimin e institucioneve të trashëgimisë kulturore megjithëse hapësira është e listuar në kuadër të Qendrës Historike të Prishtinës dhe Xhamia e Çarshisë është në listën e monumenteve nën mbrojtje të përhershme nga shteti.
Si pasojë e punimeve ndërtimore, një pjesë e segmentit të murit është dëmtuar, gjë që ka bërë të reagojnë institucionet e trashëgimisë kulturore.
Në këtë dokument, bëhet e ditur e segmenti i murit është dëmtuar në gjatësi rreth 3 metra si pasojë e punimeve ndërtimore dhe kjo sipas arkeologëve përbën një humbje të konsiderueshme të materialit arkeologjik dhe të kontekstit stratigrafik përkatës.
Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, për ndërhyrje të tilla duhet marrë leje me shkrim nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
Qendra Historike e Prishtinës prej vitit 2020 është në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, përderisa Xhamia e Çarshisë është nën mbrojtje të përhershme prej vitit 2023.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.