Agim Sulaj
06 Dhjetor 2021•Përditësim: 07 Dhjetor 2021
Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka shënuar 22-vjetorin e themelimit të tij si institucion shtetëror, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e 22-vjetorit të themelimit të SHKK-së ku morën pjesë përfaqësues të lartë të këtij institucioni, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zyrtarë të tjerë, u tha se SHKK ka kaluar përgjatë këtyre viteve në disa tranzicione, por ka pasur edhe arritje të kënaqshme.
Ministrja Haxhiu tha se megjithëse SHKK për një kohë është bërë viktimë e interesave politike, duke i humbur edhe kredibiliteti, tani është koha që të punojë me standarde të larta e dhe të rifitojë besimin qytetar.
“Përtej faktit që shërbimi korrektues përbën një institucion të sigurisë kombëtare me një karakter dhe mision mjaft specifik, ai është edhe një tregues suksesi i aftësisë së shtetit tonë në mbrojtjen dhe trajtimin e personave të privuar nga liria duke garantuar në këtë mënyrë trajtim dhe dinjitet dhe respektim të të drejtave të njeriut sipas vlerave dhe standardeve ndërkombëtare të cilat i ka përqafuar vendi ynë dhe për të cilat vlera do të vazhdojmë të punojmë edhe më tej”, tha Haxhiu.
Drejtor i përgjithshëm i SHKK-së, Ali Gashi, tha se ky institucion ka arritur përparime të dukshme për 22 vite punë që nga themelimi.
Ai tha se SHKK ka obligim të përcaktuar me ligj që të sigurojë zbatim të njëtrajtshëm për të gjithë personat e privuar nga liria në mënyrë të njëjtë.
“Si rezultat i punës profesionale me integritet, ndershmëri, efektivitet dhe transparencë, SHKK për këto 22 vite ka arritur përparime të dukshme si në infrastrukturë, ashtu edhe në ngritje të nivelit të cilësisë së punës”, tha Gashi.
Ai tha se SHKK ofron akomodim për personat që nuk janë në liri, si dhe të gjitha kërkesat e shëndetit, si: kushtet klimatike, hapësirë të nevojshme, ndriçimin, ngrohjen, higjienën personale, veshjen dhe shtrojën, ushqimin, aktivitetet fizike dhe kujdesin shëndetësor.
Veprimtaria e këtij institucioni është risocializimi i personave të dënuar gjatë mbajtjes së dënimit dhe riintegrimi i tyre në shoqëri duke kryer kështu një detyrë me rëndësi në mbrojtjen e Republikës së Kosovës nga përsëritja e veprave penale dhe parandalimi i kriminalitetit në të ardhmen.
Misioni i Shërbimit Korrektues të Kosovës është që, në bashkëpunim me të gjithë partnerët e drejtësisë dhe në përshtatshmëri të vazhdueshme me ligjet e Kosovës, t’i korrektojë dhe t’i risocializojë të burgosurit duke respektuar të drejtat e tyre fundamentale pa marrë parasysh racën, gjuhën dhe religjionin.
SHKK ka filluar punën më 28 nëntor të vitit 1999, fillimisht me hapjen e Qendrës së parë të Paraburgimit në Prizren, për të vazhduar pastaj me hapjen e qendrave të tjera korrektuese nëpër qendrat më të mëdha të vendit.