Agim Sulaj
10 Nëntor 2020•Përditësim: 11 Nëntor 2020
Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) ka shënuar 8 Nëntorin, Ditën Botërore të Planifikimit të Qyteteve ku është bërë hapja e ekspozitës me fotografitë më të mira nga foto-konkursi me temë “Qyteti im gjatë pandemisë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Dhjetëra fotografi të cilat janë shkrepur në kohën kur qytetet e Kosovës po përballeshin me karantinën për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), kanë zënë vend në hollin e objektit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit ku do të mund t’i shohin gjithë të interesuarit.
Fotografitë, tre nga të cilat u zgjodhën si fituese, vënë në pah kalimtarë me maska nëpër sheshe, rrugë të boshatisura për shkak të karantinës, dyer të mbyllura, pjesëtarë të policisë së Kosovës duke vëzhguar dhe situata të ngjashme nga përballja me koronavirusin.
Ministri i i MEA-së, Blerim Kuçi, në ditën e Planifikimit të Qyteteve përmendi disa nga të arriturat në fushën e ambientit për vitin 2020, ku ndër të tjera përmendi si projekte të rëndësishme të cilat priten të miratohen së shpejti nga Qeveria dy parqe kombëtare, atë në rajonin e Prizrenit apo Parkun Kombëtar “Sharr” dhe atë në rajonin e Pejës, apo Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.
“Plani hapësinor për Parkun Kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’, pas një kohe të gjatë dhe procesi të stërzgjatur është kompletuar si dokument dhe është në procedurë të sigurimit për pëlqim financiar dhe drejt shkuarjes në Qeveri e pastaj edhe drejt miratimit në Kuvend. Është prej dokumenteve të rëndësishme të këtij sektori. Gjithashtu, pas një vlerësimi nga ekspertët të planit ekzistues të Parkut Kombëtar ‘Sharr’, si pjesë e rëndësishme e planit të punës për vitin 2020 do të kërkojmë revidimin ose hartimin e një plani të ri hapësinor për këtë park nga Qeveria dhe Kuvendi”, tha Kuçi.
Ai po kështu shtoi se gjatë vitit 2020 në fushën e ambientit janë miratuar 9 plane komunale dhe 4 harta zonale komunale, ndërsa në proces janë edhe 16 plane zhvillimore komunale.
Për herë të parë, Dita Botërore e Planifikimit të Qyteteve është shënuar në vitin 1949, si nevojë e angazhimit gjithëpërfshirës në vendosjen e politikave, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e kualitetit të jetës në përgjithësi. Kjo ngjarje u iniciua nga Carlos Mariadella Paolera, profesor në Universitetin e Buenos Aires, me qëllim të avancimit të interesit publik dhe profesional në fushën e planifikimit, hartimin e planeve për zona të reja të zhvillimit, dhe të ndikojnë në korrigjimin e zonave të vjetra.