Agim Sulaj
15 prill 2022•Përditësim: 15 prill 2022
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK) për nder të shënimit të Ditës Botërore të Monumenteve dhe Lokaliteteve, ka hapur ekspozitë me fotografi të aseteve të trashëgimisë kulturore të cilat janë në mbrojtje të përhershme në Republikën e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Fotografi të ndryshme të aseteve dhe trashëgimisë kulturore u shfaqën në oborrin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në Prishtinë, në kuadër të kësaj dite.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku tha se në të gjithë Kosovën po punohet për të shpëtuar trashëgiminë në rrezik dhe njëherësh restaurimin e monumenteve me vlerë.
“Aktualisht po punohet intensivisht në dy drejtime, e para për ta shpëtuar trashëgiminë në rrezik dhe në të njëjtën kohë për t’i restauruar monumentet të cilat janë vlerë e jashtëzakonshme e vendit tonë. Po besoj që bashkërisht me ndihmën që vjen nga Komisioni Parlamentar edhe nga KKTK dhe puna e gjithë profesionistëve që janë pjesë e këtij sistemi unik të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore do t'ia dalim mbanë dhe nuk do të flasim më për trashëgiminë në rrezik por për mënyrën se si do ta shfrytëzojmë më së miri potencialin ekonomik që ofrojnë këto asete të trashëgimisë kulturore”, theksoi Çeku.
Ai bëri të ditur se nga Prishtina do të niset për në Mitrovicë dhe komuna përreth, ku ka një numër të madh të rregullimeve që po ndodhin në trashëgiminë kulturore e cila ndodhet në këtë rajon për t’i konsoliduar strukturat e dëmtuara dhe për t’i restauruar monumentet.
Kryetari i KKTK-së, Ardian Gola tha se trashëgimia kosovare i tregon dy gjëra: për praninë e vazhdueshme historike të shoqërisë dhe këtij populli në këto treva dhe për diversitetin e saj.
Gola tha se nga kisha, manastire e xhamia deri te kalaja dhe kështjella të ndryshme, tregojnë për një diversitet të skajshëm kulturor të një historie të bujshme.
Më tej u tha se kjo ditë është dhe përpjekje për edukim të gjeneratave të ardhshme për trashëgimi kulturore dhe reflektim që të mos jetë vetëm një ditë e vetme ku nderohet trashëgimia.
Në ekspozitë u shfaq nga lartë edhe kupola e Xhamisë “Sulltan Mehmet Fatih”, si një nga trashëgimitë kryesore osmane në Prishtinë e ndërtuar në vitin 1461.
Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Vendbanimeve Historike (International Council on Monuments and Sites) në vitin 1982 vendosi që dita ndërkombëtare e monumenteve dhe vendbanimeve historike, të shënohet çdo 18 prill. Kjo ditë shihet si mundësi për të gjithë Komitetet Kombëtare të këtij këshilli, që të mbrojnë qëllimet e tyre të përbashkëta në të njëjtën ditë.