Agim Sulaj
05 Shtator 2022•Përditësim: 06 Shtator 2022
Qindra qytetarë kanë marrë pjesë në protestë para Qeverisë së Kosovës për të kërkuar drejtësi për rastin e dhunimit të një 11-vjeçareje muajin e kaluar në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Me thirrjet "Shkarkoni gjyqtarët patriarkalë", "Policët participues në krim", "Gra, armatosuni", "Shteti i ka duart me gjakun e grave", protestuesit parashtruan disa kërkesa.
Protestuesit thanë se përdhunimi i vajzës 11-vjeçare nga pesë djem dhe burra nuk mund të tejkalohet me vetëm dy shkarkime, dorëheqje e lojë fajësimesh mes institucioneve.
“Neglizhenca e shtetit është duke ua rrezikuar dhe më tej vajzat dhe gratë në Kosovë, sidomos atyre të mitura. 85 për qind të viktimave të dhunës seksuale në periudhën 2019-2021 kanë qenë të mitura sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës. Tutje, raporte kanë treguar se gjykatat vendore kanë dhënë dënime nën minimumin e lejuar me ligj në më shumë se gjysmën e rasteve të dhunës seksuale”, thanë organizatorët e protestës.
Protestuesit parashtruan si kërkesë legalizimin e përdorimit të gazit irritues për vetëmbrojtje, shkarkimin e zyrtarëve policorë të lidhur me rastin, krijimin e një njësiti të specializuar për dhunë seksuale në Polici, siguri, drejtësi dhe rehabilitim i të mbijetuarave të dhunës seksuale si dhe shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.
Më 27 gusht, pesë të dyshuar tashmë në paraburgim nga Policia e Kosovës, u raportua nga Policia dhe Prokuroria se dhunuan një vajzë 11-vjeçare për rreth 7 orë në dy lokacione të ndryshme në kryeqytet.
Për rastin e dhunimit të 11-vjeçares dha dorëheqje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, me arsyetimin se këtë po e bën për shkak të ndërgjegjes profesionale, por edhe drejtori i Drejtorisë për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve në Shërbimin Korrektues të Ksoovës, Ali Gashi.
Për këtë rast ka reaguar edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani, e cila tha se “kryerësit e këtyre veprave duhet të marrin përgjigjen e duhur dhe të menjëhershme nga organet e drejtësisë”.
Ndërkaq, edhe kryeministri Albin Kurti kërkoi nga organet e rendit dhe të hetuesisë që të vënë personat e dyshuar sa më shpejtë para drejtësisë, e që kryerësit të marrin dënimin meritor “për këtë vepër kaq të rëndë e tronditëse, të dënueshme e të papranueshme”.