Kosovë, mbahet konferenca mbi avancimin e të drejtave të komuniteteve
Zyra për qeverisje të mirë në kuadër të Zyrës së kryeministrit të Kosovës, organizoi konferencën rajonale me temën "Avancimi e të drejtave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian - arritjet dhe sfidat"
Prishtinë
Zyra për qeverisje të mirë në kuadër të Zyrës së kryeministrit të Kosovës, organizoi në Prishtinë konferencën rajonale me temën "Avancimi e të drejtave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian - arritjet dhe sfidat", raporton Anadolu.
Në konferencën e cila u organizua në bashkëpunim Terre des hommes në Kosovë, "Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve" dhe Fondacionit HEKS, në kuadër të projektit - Drejtësia sociale për romët, ashkalitë dhe egjiptianët, morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe organizatave nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe vendet tjera evropiane.
Aktorë kyç nga rajoni dhe më tej diskutuan mbi sfidat e diskriminimit strukturor dhe antigjipsizmit, duke reflektuar mbi zbatimin e Kornizës Strategjike të BE-së për Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptianët 2020–2030 dhe rolin e shoqërisë civile në avancimin e politikave gjithëpërfshirëse.
Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për qeverisje të mirë, të drejtat e njeriut, barazi gjinore dhe mundësi të barabarta në kuadër të Zyrës së kryeministrit të Kosovës, tha se platforma kombëtare për mbrojtje nga diskriminimi ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian e themeluar vite më parë, ka pasur efekt pozitiv.
Sipas tij, deri më tani mbi 69 raste janë raportuar për diskriminim në këtë platformë dhe shumica nga to kanë shënuar progres në përgjigjen institucionale ndaj këtyre rasteve nga prokuroritë, gjyqësori dhe policia.
"Edhe pse ka qenë një sfidë se si do të rrugëtojmë, tani shohim një progres aq të madh në vend, në parandalim dhe luftim të diskriminimit, sidomos në përkrahjen dhe ndihmën e asistencës ligjore në mbrojtje të viktimave të diskriminimit", tha Hajredini.
Sipas tij, nga kjo eksperiencë e Kosovës synojnë të përfitojnë edhe shtetet e rajonit, sikurse Mali i Zi, në mënyrë që ta aplikojnë në vendet e tyre.
Drejtori ekzekutiv i organizatës "Zëri i Romëve, Ashkalinjëve dhe Egjiptianëve në Kosovë" (VoRAE), Isak Skenderi, fjalën e tij para të pranishmëve ia kushtoi situatës së re në Slloveni ku aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe organizata të të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësime serioze për diskriminim dhe trajtim juridik që ka prekur komunitetin rom atje.
Ai tha se edhe demokracitë e konsoliduara mund të rrëshqasin prapa kur frika, presioni politik apo narrativat populiste lejohen të mbizotërojnë mbi parimet themelore.
"Në këtë moment, Sllovenia nuk qëndron më si modeli që shumëkush aspiron ta ndjekë, por më tepër si një kujtesë se arritjet demokratike kërkojnë vigjilencë të vazhdueshme për t'u ruajtur. Kjo nuk lidhet vetëm me konfliktet dhe pasojat morale të rolit të saj të rëndësishëm në rajon. Ajo është një kod përgjegjësie që shoqëron udhëheqjen. Ata që kanë avancuar më tej kanë obligim më të madh për të ruajtur standardet më të larta, e jo për t'i ulur ato", tha Skenderi.
Tutje iu bë thirrje Sllovenisë nga kjo konferencë që t'i rishqyrtojë këto masa dhe të riafirmojë përkushtimin e saj ndaj barazisë, mosdiskriminimit dhe mbrojtjes së të drejtave të pakicave, në përputhje me obligimet e saj kushtetuese dhe vlerat evropiane.
Parlamentit slloven në nëntor miratoi një ligj të diskutueshëm që zgjeron fuqitë e policisë, përfshirë të drejtën për të hyrë në shtëpi pa urdhër gjykate dhe për të vendosur survejim në "zona me rrezik për sigurinë". Ky ligj u miratua vetëm pak javë pas një ngjarjeje të dhunshme ku një person rom u akuzua për një vrasje dhe kritikët thonë se ai praktikisht trajton lagjet e romëve si zona sigurie dhe banorët si kërcënim të mundshëm, gjë që ngre shqetësime për profilizim etnik dhe diskriminim institucional.
Organizata "Amnesty International" ka deklaruar se masa është e pabalancuar dhe rrezikon të shkelë të drejtat themelore dhe mund të përdoret në mënyrë diskriminuese ndaj komunitetit rom, duke ulur mbrojtjen juridike dhe kufizuar përfitime sociale për familjet më të margjinalizuara.
