Agim Sulaj
16 Shtator 2019•Përditësim: 17 Shtator 2019
Me aktivitete të ndryshme nën moton “Pjesëmarrja”, për të 11-tin vit me radhë Kuvendi i Kosovës shënoi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kuader të 15 shtatorit, Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, në ndërtesën e shtëpisë ligjvënëse u mbajtën disa aktivitete, përfshirë punëtori të ndryshme, prezantimi i ueb-faqees së re të Kuvendit dhe hapja e ekspozitës me fotografi me temën “Pjesëmarrja”. Po ashtu, kuvendi u vizitua nga studentë dhe nxënës të cilët janë njohur me përfaqësuesit e zgjedhur të popullit në këtë institucion.
Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se shtetasit e Kosovës duhet që çdo ditë të punojnë për ta bërë vendin më demokratik. Veseli tha se falë ndihmës dhe partneritetit të ngushtë me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, Kosova ka bërë shumë hapa në formimin e institucioneve demokratike.
Siç tha Veseli, ndër kërcënimet më të mëdha të demokracisë kosovare sot janë korrupsioni dhe nepotizmi.
“Korrupsioni dhe nepotizmi cenojnë demokracinë, lirinë dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Unë mendoj se klasa jonë politike duhet të ketë kurajo për t’u përballur me këtë fenomen siç duhet. Të ketë edhe nisma konkrete me programe e reforma të prekshme dhe jo vetëm retorikë”, tha Veseli.
Kryeparlamentari Veseli u bëri thirrje partive politike në vend, me rastin e afrimit të fushatës zgjedhore, që të shmangin gjuhën e urrejtjes gjatë kësaj kohe për të zhvilluar një fushatë sa më të qetë dhe dinjitoze.
Drejtori i Drejtorisë për Teknologji Informative, Vullnet Kabashi, ka bërë prezantimin e ueb-faqes së re të Kuvendit të Kosovës, i cili tha se tanimë është avancuar në disa aspekte dhe përshtatur në varësi të pajisjes me të cilën hapet.
Pas fjalimeve dhe prezantimit të ueb-faqes së re të Kuvendit, në oborrin e këtij institucioni është hapur ekspozita me foto-sesion me temë “Pjesëmarrja”, ku janë shfaqur fotografi rreth lirisë së fjalës, barazisë gjinore etj.
Gjithashtu, në oborrin e Kuvendit u emetuan edhe video-porosi rreth proceseve demokratike, u bë hapja e panairit të organizatave të shoqërisë civile, si dhe do të mbahen debate e kuize mbi demokracinë.