BALLKANI

Presidenti Thaçi thërret mbledhjen e parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit

Presidenti i Kosovës ka marrë vendim "për thirrjen e Mbledhjes së Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila do të mbahet me datën 24 dhjetor 2019"

Agim Sulaj  | 11.12.2019 - Përdıtësım : 11.12.2019
Presidenti Thaçi thërret mbledhjen e parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit

Prishtinë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur për seancë parlamentare Legjislaturën e Shtatë të Kuvendit më 24 dhjetor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një njoftimi nga Zyra për Media e Presidentit të Kosovës, Thaçi ka thirrur seancën parlamentare më 24 dhjetor në ora 09:00, mbështetur në kompetencat kushtetuese e ligjore si dhe marrë parasysh njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare.

"Kryetari dhe Kryesia e Legjislaturës së Gjashtë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi, do të përgatisin propozimin e rendit të ditës për Mbledhjen e Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës", thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende nuk kanë konkretizuar marrëveshjen përfundimtare për të bashkëqeverisur, pasi në takimin e tyre të fundit në nivel kryetarësh më 2 dhjetor, kreu i VV-së, Albin Kurti, dhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, thanë se duhet t’i vazhdojnë ende bisedimet. Ndërkaq, sot është paralajmëruar një takim i ri në Kuvendin e Kosovës midis Kurtit dhe Mustafës.

Në zgjedhjet parlamentare të jashtëzakonshme të 6 tetorit, VV doli partia e parë, duke siguruar 29 ulëse, ndërsa LDK 28 ulëse. Për ta votuar qeverinë e re në Kuvend nevojitet një shumicë prej 61 votash nga 120 në total, ndërsa për këtë Kurti është dakorduar edhe me disa deputetë të minoriteteve në Kosovë të cilët ia kanë garantuar votën pro.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.