Kosovë, FSK shënon Ditën e Hapur për qytetarët
Presidentja Vjosa Osmani tha se Ushtria e Kosovës është pasardhëse e denjë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët vunë themelet e lirisë së vendit
Kosova
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), po shënon Ditën e Hapur e cila ka për qëllim prezantimin e armatimit dhe pajisjeve të tyre para qytetarëve të interesuar, raporton Anadolu.
Në hapjen e dyerve për qytetarët nga FSK-ja mëngjesin e sotëm, morën pjesë edhe krerë të shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Dimal Basha, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, qytetarë të shumtë përfshirë nxënës të shkollave fillore.
Pasi krerët e institucioneve shtetërore vizituan dhe panë nga afër armatimet dhe pajisjet e FSK-së, presidentja Vjosa Osmani tha se Ushtria e Kosovës është pasardhëse e denjë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët vunë themelet e lirisë së vendit.
"Ushtria jonë çdo ditë po forcohet, ushtria jonë çdo ditë po bëhet më operacionale, më ndërvepruese dhe më profesionale. Dhe, natyrisht që në radhët e ushtrisë tonë çdo ditë po shtohen djem dhe vajza të tjerë të cilët duan t'i shërbejnë atdheut", tha Osmani.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se Dita e Hapur është ditë e gëzuar për të gjithë, ngase me FSK-në, brezat e rinj do të jenë të sigurt të jetojnë në paqe, të zhvillohen e të lulëzojnë.
Ai tha se FSK-ja është gjithnjë në shërbim të integritetit territorial të të drejtave të qytetarëve, sovranitetit shtetëror, paqes dhe sigurisë. Ai bëri të ditur se mbi 430 milionë euro është investimi në armatim dhe pajisje në katër vitet e fundit.
"Më përpara ushtria jonë ka pasur automatik të llojit 'Heckler koch' dhe revole, që do të thotë se ka qenë më pak e pajisur edhe se vet Policia e Kosovës. Tani është e pajisur me teknologji moderne dhe kjo sa vjen e shtohet me qenë se kemi dyfishim të çizmeve në tokë të ushtarëve tanë, por edhe ashtu të syve në qiell, për shkak se e kemi pajisur ushtrinë me dronë 'Skydagger' dhe 'TB2 Bayraktar' nga Turqia, 'Puma' nga SHBA-ja e do ta kemi së shpejti edhe fabrikën e municionit dhe prodhimit të dronëve 'Made in Kosova'", tha Kurti.
Sipas tij, janë katërfishuar trajnimet jashtë vendit për pjesëtarët e FSK-së, ndërsa është trefishuar buxheti për mbrojtje dhe siguri dhe ky është obligim ndaj atdheut.
Dyert e Hapura të kazermave në Prishtinë, Prizren, Pomozotin, Istog, Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjilan do të jenë të hapura për vizitat e qytetarëve deri në orën 14:00.
