BALLKANI

Kosova ka kompensuar viktimat e krimit me 1 milionë euro në vitet e fundit

Përfaqësuesja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Nitë Bylykbashi Deliu, tha se Konventa e Stambollit është traktati më i arrirë sa i përket parandalimit dhe luftimit të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave

Agim Sulaj  | 10.12.2025 - Përdıtësım : 10.12.2025
Kosova ka kompensuar viktimat e krimit me 1 milionë euro në vitet e fundit Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Në kuadër të fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, Ministria e Drejtësisë ka mbajtur tryezë me temën “Kompensimi i viktimave të krimit në Kosovë: Funksionimi dhe sfidat”, raporton Anadolu.

Blerim Sallahu, ushtrues detyre i Ministrit të Drejtësisë në Kosovë, tha se më shumë se 650 kërkesa për kompensim të viktimave të krimit në Kosovë kanë kaluar në Komisionin për Kompensimin e Viktimave të Krimit në katër vjetët e fundit.

Ai tha se shteti do të garantojë që çdo viktimë në Kosovë të ketë trajtim dhe qasje të njëjtë në drejtësi, derisa theksoi se mbi 1 milionë euro shteti ka kompensuar këtë kategori nga viti 2021.

“Mbi 1 milionë euro kompensim janë aprovuar për viktimat e krimit, shifra më e lartë e paguar ndonjëherë nga shteti ynë, në këtë fushë. Këto nuk janë vetëm numra, janë më shumë se kaq, janë ndihma konkrete, janë mbështetje reale, për gra, burra dhe fëmijë që kanë përjetuar dhunën nga afër”, tha Sallahu.

Përfaqësuesja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Nitë Bylykbashi Deliu, tha se Konventa e Stambollit është traktati më i arrirë sa i përket parandalimit dhe luftimit të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.

Ajo tha se konventa e njeh dhunën ndaj grave si shkak dhe pasojë e pabarazive historike mes pushtetit të burrave dhe grave dhe njeh që gratë preken nga dhuna në familje në mënyrë disproporcionale.

“Statistikat vjetore të Policisë për Kosovën tregojnë se afërsisht 2.600 deri në 2.700 raste të dhunës në familje në vjet janë të raportuara. E nëse e shikojmë përqindjen se sa prej viktimave janë gra, atëherë del zakonisht rreth 85-86 për qind e tyre”, tha Bylykbashi Deliu.

Fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore” është një nismë ndërkombëtare e cila zhvillohet çdo vit nga 25 nëntori - Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, deri më 10 dhjetor - Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.

E nisur në vitin 1991 nga Qendra për Lidership Global të Grave (Center for Women’s Global Leadership), kjo fushatë synon të rrisë ndërgjegjësimin publik, të nxisë angazhimin institucional dhe shoqëror, si dhe të forcojë politikat dhe mekanizmat për parandalimin dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.