Agim Sulaj
08 Korrik 2020•Përditësim: 09 Korrik 2020
Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Rrjetin e Grave të Kosovës dhe shoqatën “Rrjeti i Shitësve me Pakicë”, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi në krijimin e lehtësirave për punësim të kategorive të personave të strehuar në strehimoret e dhunës në familje dhe të mbijetuarat/it e dhunës seksuale gjatë luftës, raporton Anadolu Agency (AA).
Nënshkrimi i këtij memorandumi që u bë në Ministrinë e Drejtësisë në Prishtinë, sipas ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi tha se është një rast i rrallë kur një ministri bashkë me shoqërinë civile dhe sektorin privat gjejnë zgjidhje për rehabilitimin e grave të cilat janë viktima të dhunës në familje si dhe viktimave të luftës.
“Problemi kryesor tek gratë të cilat janë viktima të dhunës është rehabilitimi i tyre. Si pjesë e rehabilitimit e kemi parë që është e domosdoshme që të kyçen në sektorin privat veçanërisht në sektorin e shitjes me pakicë, të cilët ofrojnë një gamë më të gjerë të vendeve të punës që përfshijnë të gjitha kategoritë e grave, backgroundin e tyre, përgatitjen e tyre”, tha Selimi, i cili falënderoi kompanitë të cilat tashmë kanë shpreh gatishmërinë të punësojnë këtë kategori.
Drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova tha se ka qenë një “luftë” e paparë nga shoqëria civile që të kontribuojnë që sa më shumë gra që kanë përjetuar dhunë të gjejnë në kohën e pandemisë së koronavirusit një mundësi pune dhe një strehim në mënyrë që të kenë më shumë siguri shëndetësore.
“Të mbijetuarat e dhunës në familje, të mbijetuarat e dhunës seksuale, kanë shansin që të gjejnë një vend pune përmes rrjetit të shitësve me pakicë e kjo do të thotë shumë, sepse, pavarësia ekonomike është çelësi kryesor për riintegrimin e këtyre grave”, tha Rugova duke folur rreth projektit në fjalë.
Edhe përfaqësuesja e Rrjetit të Shitësve me Pakicë tha se konsiderojnë frytdhënës për të ardhmen duke theksuar se do të vazhdojnë me projekte të tilla ku në fokus janë grupet e margjinalizuara.
Vitin e kaluar, Kosova shënoi rritjen më të madhe të raportimeve për dhunë në familje. Mesatarja vjetore e rasteve të raportuara ndërmjet viteve 2002 dhe 2017 ishte 1.152, në vitin 2018 janë 1,541 raste të raportuara, ndërsa në vitin 2019 ky numër ishte 1.915.