Kosova e stolisur "kuq e zi" për 28 Nëntorin
"Dita e Flamurit, e Pavarësisë së Shqipërisë, e lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe e daljes së parë publike të UÇK-së, janë katër ngjarje që përbëjnë boshtin e krenarisë sonë kombëtare", ka shkruar presidentja Osmani në rrjetet sociale
Prishtinë
Rrugët kryesore të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, janë zbukuruar me flamuj kombëtar kuq e zi për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, raporton Anadolu.
Nga sheshi "Zahir Pajaziti" deri te bulevardi "Nënë Tereza", ngjyrat kuqezi kanë krijuar atmosferë festive në Prishtinë. Gjithashtu shitësit kanë zënë vend me tezga në disa kënde të qytetit për të shitur simbole kombëtare si plis me shqiponjë dhe flamuj të vegjël kuq e zi.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se dekorimet do të qëndrojnë përgjatë gjithë fundjavës, ndërsa priten edhe aktivitete kulturore në disa pjesë të qytetit për të shënuar këtë ditë të rëndësishme për shqiptarët.
28 Nëntori është datë me rëndësi për shqiptarët e Kosovës edhe për shkak të daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në vitin 1997 si dhe ditëlindjes së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, i cili lindi më 28 nëntor të vitit 1955.
- Liderët shtetërorë urojnë Ditën e Flamurit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Ditën e Flamurit, duke thënë se ngjarjet e nëntorit ndër vite përbëjnë boshtin e krenarisë kombëtare.
"Dita e Flamurit, e Pavarësisë së Shqipërisë, e lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe e daljes së parë publike të UÇK-së, janë katër ngjarje që përbëjnë boshtin e krenarisë sonë kombëtare", ka shkruar Osmani në rrjetet sociale.
Ajo ka thënë se sot Kosova dhe Shqipëria ecin krah njëra-tjetrës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me rastin e 113-vjetori të Pavarësisë së Shqipërisë ka uruar për siç ka thënë "Nëntor të Tretë".
Në një postim në rrjetet sociale ku ka shkruar për ngjarjet që shqiptarët i shënojnë më 28 nëntor, ka thënë: "Sytë i kemi kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm".
"Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!", ka shkruar Kurti.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka uruar 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, derisa ka theksuar nevojën që Kosovës dhe Shqipëria të jenë pranë njëra-tjetër, siç ka thënë "si kurrë më parë".
"Në një botë ku kërcënimet për paqen dhe sigurinë po rriten, Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë pranë njëra-tjetrës si kurrë më parë, për të mbrojtur vlerat, identitetin dhe ëndrrën e përbashkët të kombit", ka shkruar ai.
Maqedonci ka thënë se 28 Nëntori, është dita që "na bashkon me rrënjët, me gjakun dhe me historinë e lavdishme të kombit tonë".
