Agim Sulaj
13 Shtator 2022•Përditësim: 14 Shtator 2022
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, kanë nënshkruar marrëveshjen për programin e parë financiar vjetor IPA III, në vlerë prej 63,96 milionë eurosh, raporton Anadolu Agency (AA).
Marrëveshja Kornizë e Partneritetit Financiar IPA III i mundëson Kosovës të vazhdojë të marrë ndihmë teknike dhe financiare nga BE-ja.
Zv/kryeministri Besnik Bislimi, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, tha se shumica e projekteve do të realizohen si projekte të përbashkëta edhe me partnerë të tjerë zhvillimorë.
Bislimi tha se këto fonde kombinohen edhe me bashkëfinancimin nga Kosova me vlerë prej 16 milionë eurove por edhe nga partnerë të tjerë me 3,8 milionë euro.
“Programi i këtij viti përkrah një sërë fushash që ne i konsiderojmë si prioritare në dakordim me Bashkimin Evropian. Në veçanti dua të përmend këtu përkrahjen për arsimin, punësimin e të rinjve në kuadër të administratës publike, përkrahjen e investimeve në sektorin e energjisë, mjedisit, përkrahjen për rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse përmes asistencës teknike në sektorin e tregtisë, përkrahjen në zhvillimin e bujqësisë, përkrahjen për përmirësimin e qeverisjes lokale”, theksoi Bislimi.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se BE-ja mbetet donatori më i madh i Kosovës në asistim financiar.
Szunyog tha se në këtë mënyrë bëhet e qartë se e ardhmja e Kosovës është në BE, e cila do të vazhdojë ta ndihmojë vendin.
“Programi mbështet një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë dhe ka synim ta afrojë vendin me vlerat e Bashkimit Evropian”, theksoi Szunyog.
Pas këtij nënshkrimi do të nisin procedurat për ratifikimin e marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës.