BALLKANI

Kosovë, thirrje Serbisë t’i hapë arkivat e ish-ushtrisë Jugosllave

Një thirrje të tillë e ka bërë të premten Komisioni qeveritar për persona të zhdukur me qëllim gjetjen e informacioneve mbi edhe të 1,650 personave të pagjetur nga lufta në Kosovë

Agim Sulaj   | 23.08.2019
Kosovë, thirrje Serbisë t’i hapë arkivat e ish-ushtrisë Jugosllave ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Këshilli Organizativ për shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur ka mbajtur një konferencë në të cilën janë dhënë detaje rreth shënimit të kësaj dite në Kosovë dhe i është bërë thirrje Serbisë për vazhdimin e procesit të gjetjeve, raporton Anadolu Agency (AA).

30 gushti, Dita Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur, sipas anëtarëve të këtij komisioni do të do të shënohet me një marsh me moton “20 vjet dhimbje, 20 vjet pritje dhe krenari” në sheshin e kryeqytetit ku do të marrin pjesë edhe familjarët e personave të pagjetur.

Në komision vlerësuan se ende është i madh numri i të pagjeturve në Kosovë, gjë për të cilën duhet bërë presion mbi Serbinë edhe nëpërmjet palës ndërkombëtare. Për këtë çështje, u përmend edhe ideja e kushtëzimit të Serbisë në dialog në Bruksel.

Udhëheqës i njësisë së Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Kushtrim Gara, tha se i bëjnë thirrje autoriteteve të Serbisë që të vazhdojnë gërmimet vlerësuese në lokacionet tanimë të shënjuara, e të cilat kanë mbetur në gjysmë siç është Rashka.

Gashi tha se duhen hapur arkivat e ish-ushtrisë Jugosllave në të cilat ka informacione të cilat do ndihmonin të gjendeshin edhe mbi 1.600 persona të zhdukur.

"Ajo që është me rëndësi për t’u theksuar edhe në këtë rast edhe në këtë ditë, i bëjmë thirrje gjithsesi institucioneve të Serbisë që sa më parë të bëjnë hapjen e arkivave të ish-ushtrisë Jugosllave meqë tashmë është konfirmuar (jo pse ka pasur dikush ndonjë dilemë), që në këto arkiva vazhdon të ketë informacione të cilat sigurisht do të na ndihmonin të mësohet fati dhe vendndodhja e 1.650 personave”, tha Gashi.

I pyetur për shtatë mbetje mortore me origjinë jokosovare të gjetura brenda territorit të Kosovës, Jahja Lluka nga Komisioni qeveritar për persona të zhdukur, tha se pesë nga to janë malazeze ndërsa dy serbe.

Ai tha se familjarët e pesë të vdekurve malazez kanë kërkuar që eshtrat e tyre të kthehen për t’u rivarrosur në Mal të Zi.

“Në këtë rast nuk bëhet fjalë për shtatë serbë. Por, janë pesë malazez dhe dy serb. Procedurat mjekoligjore nuk kanë përfunduar ende. Marrëveshjen e kemi arritur me komisionin e Malit të Zi. Më 4 shtator, pesë mbetje mortore malazeze, të cilat do të varrosen në Andrijevicë, do të dorëzohen në pikën kufitare në Kullë të Rozhajës”, tha Lluka, i cili shpjegoi se puna për to nuk është kryer ende dhe mjekësia ligjore është ende në procedim.

Lluka tha se ky gjenocid duhet të paguhet dhe Kosova për të do ta ngritë zërin edhe në vazhdim, si dhe shtoi se duhet që t’i bëhet trysni edhe më e madhe Beogradit për zbardhjen edhe të 1.650 personave.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.