Agim Sulaj
16 Mars 2023•Përditësim: 22 Mars 2023
Qindra punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), kanë protestuar para selisë së KEK-ut në sheshin "Nënë Tereza" në Prishtinë me kërkesën për rritjen e pagave, raporton Anadolu.
Me mesazhet "Duam ngritje pagash, edhe ne e duam jetën", "Puna e rëndë, por ushqimi i lehtë", "Punëtorë të rrezikuar në punë, por rrezikshmëria nuk paguhet" dhe me kapela punëtorësh, përfaqësuesit e punëtorëve të KEK-ut thanë se kërkesat e tyre "janë esenciale".
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica tha se ata po kërkojnë pagesë më të lartë për shujtat ditore, pagesë për rrezikshmërinë në punë dhe pagesë për punën në fundjavë sipas Ligjit të Punës.
"Çmimet janë ngritur, por ne nuk kemi ngritje të pagave. Kemi rrezikshmëri në punë, por nuk paguhet rrezikshmëria për punëtorë, kemi punë të rëndë por ushqimi është i lehtë sepse kemi një shujtë të ushqimit 1 euro e 74 centë, pra edhe pse kemi pasur premtim nga menaxhmenti për ngritje në pagesa, një gjë e tillë nuk ka ndodhur", tha Llumnica në fjalën e tij para protestuesve.
Ai tha se KEK-u ka rreth 2 mijë punëtorë mungesë, derisa bëri lutje tek institucionet përkatëse që të hapin konkurse për punësimin e punëtorëve të rinj, ngase, siç tha ai, punëtorët aktual po punojnë me tre ndërrime.
"Aseti më i rëndësishëm i KEK-ut janë punëtorët, falë angazhimit maksimal të punëtorëve sot jemi kompania më profitabile në vend dhe prodhojmë një produkt jetik për qytetarët e Kosovës. Në KEK për momentin kemi mbetur 3.200 punëtorë, ndërsa në skemë janë diku 5.200. Nëse merret kjo shifër për bazë angazhimi është maksimal i punëtorëve, punohet me tre ndërrime", tha Llumnica.
Llumnica tha se nëse nuk rriten pagat e tyre "do ta lënë Kosovën në terr".
Në përkrahje të kësaj proteste ka dalë edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).