BALLKANI

Kosovë, mosha mesatare e përdoruesve të drogave në ulje

Në Kosovë numri i përdoruesve të substancave narkotike llogaritet të jetë rreth 35 mijë

Agim Sulaj   | 10.09.2019
Kosovë, mosha mesatare e përdoruesve të drogave në ulje ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Si problematik, shqetësues por jo alarmant është konsideruar përdorimi i drogave në një tryezë të organizuar me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në diskutimin e organizuar nga organizata joqeveritare "Labyrinth", u tha se janë dy faktorë kyç për rritjen e përdoruesve të drogave si dhe uljen e moshës mesatare të përdoruesve, familja dhe mosfunksionimi i një plani institucional.

Drejtori i organizatës, Safet Blakaj, tha se përdoruesit e drogës vuajnë nga stigmatizimi i shoqërisë, gjë që e bën problematike shërimin dhe rikthimin e tyre në jetë normale.

Blakaj tha se do të ishte mirë që për këtë kategori të ketë shërbime më miqësore dhe më të veçanta në institucione. Ai tha se ulja e moshës mesatare të përdoruesve të drogës, është shqetësimi më aktual për këtë grup.

"Kategoritë që janë më të prekurat, janë të rinjtë, në fakt, mund të them lirshëm fëmijët. Në vitin 2007 sipas statistikave tona nga databaza, mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave ka qenë 21.2 vjeç. Në vitin 2018, 16.4 vjeç. Ne konsiderojmë se s’ka ku të bie më shumë. Për arsye se mesatarja 16.4 ka problem, nuk ka ku të shkojë më poshtë", tha Blakaj.

Koordinatori Nacional për Gjeneratën e Re nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hasani, që njëherësh është edhe shef i task-forcës anti-drogë dhe siguri në shkolla, tha se janë në fazën e përfundimit të një programi kombëtar të një fushate shtetërore anti-narkotikë dhe siguri në shkolla.

"Nuk ka pasur asnjëherë një fushatë ndërkombëtare të sensibilizimit të prindërve, fëmijëve, nxënësve, studentëve, qytetarëve të Kosovës, sistemit të sigurisë për luftën kundër narkotikëve dhe Kosova konsiderohet që asnjëherë në një fushatë publike nuk i është bashkuar vendeve evropiane dhe botërore", tha Hasani.

Drejtori i Departamentit për Shëndetësi në Burgje, Milazim Gjocaj, në fjalën e tij tha se mundohen që të gjitha aspektet parandaluese për përdorimin e drogës që janë jashtë, t’i aplikojnë edhe në burgje. Gjocaj shtoi se ka rritje të përdoruesve të drogës edhe në burgje.

"Prej 5.8 për qind e përdoruesve (të drogës) të burgosurve, që vijnë në burgje në vizitën e parë, janë identifikuar në vitin 2014. Ndërsa në raportet e këtij gjashtëmujori, kjo ka arritur në 12.8 për qind të përdoruesve, që është një e dhënë dhe rritje shqetësuese. Dhe, kjo reflekton nivelin dhe numrin e përdoruesve të drogave jashtë", u shpreh Gjocaj.

Në Kosovë numri i përdoruesve të substancave narkotike llogaritet të jetë rreth 35 mijë, ndërsa sipas hulumtimeve nga organizata joqeveritare kohës së fundit është rritur numri i përdorueseve femra. Gjithashtu nga llojet e narkotikëve, në Kosovë ka rënë përdorimi i heroinës ndërsa po shkon në rritje numri i përdoruesve të kokainës.

Policia e Kosovës vetëm gjatë vitit 2018 ka arrestuar mbi 2.000 persona, derisa janë hapur raste në prokurori për rreth 1.800 persona si të dyshuar që kanë lidhje me abuzim me substancë narkotike.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.