Kosovë, fillojnë reduktimet e energjisë elektrike
Kufizimet do të jenë të gjata deri në 2 orë për të gjithë konsumatorët, ku 6 orë do të ketë furnizim me energji elektrike, ndërsa 2 orë jo

Prishtinë
Kompania Kosovare për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS) ka bërë të ditur se nga 15 gushti qytetarët e Kosovës do të përballen me reduktime të energjisë elektrike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e KEDS-it, bëhet e ditur se kjo kompani ka pranuar urdhëresë nga Qendra Nacionale Dispecerike e Kosovës, pjesë e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 08:00 e mëngjesit të 15 gushtit.
Këto kufizime, në bazë të planit të dërguar nga kjo qendër, do të jenë të gjata deri në 2 orë për të gjithë konsumatorët, ku 6 orë do të ketë furnizim me energji elektrike, ndërsa 2 orë jo.
"Prej nesër vendi do të furnizohet vetëm nga prodhimi vendor", u bë e ditur dje nga KEDS.
Sipas tyre, kjo, pasi KEDS dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) nuk kanë mundësi financiare më që të nominojnë energji jashtë asaj që prodhohet nga gjeneratorët vendorë.
"Deri tek kjo situatë ka ardhur për shkak të çmimeve enorme që ekzistojnë në tregjet ndërkombëtare dhe mosmbulimit të kostos së sistemit. Kjo ka sjellë situatë të rëndë financiare edhe për KOSTT-in, të cilin Shoqata Evropiane për Bashkëpunimin e Operatorëve të Sistemit të Transmisionit (ENTSO) nuk e lejon më të bëjë devijime. Kjo bën që secila kërkesë mbi prodhimin vendor të kufizohet në pamundësi të mbulimit nga importi", thotë KEDS.
Kompanitë e energjisë elektrike me mbi 46 milionë euro humbje vitin e kaluar
KEDS thekson se energjia elektrike e blerë deri sot ka shkaktuar humbje enorme për ta dhe për KESCO-n, derisa "të dy kompanitë vitin e fundit e kanë mbyllur vitin me humbje të mëdha financiare, njëra 27,8 milionë euro, e tjetra 18,5 milionë euro, në një total që shkon në mbi 46 milionë euro humbje".
Gjatë shqyrtimit të jashtëzakonshëm tarifor, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) kishte marrë parasysh subvencionin e qeverisë prej 100 milionë eurosh, por sipas KEDS-it, "asnjë cent nga ajo shumë nuk është shpërndarë tek furnizuesi", gjë e cila ka rënduar gjendjen duke shteruar të gjitha mundësitë financiare të kompanive në fjalë.
KEDS dhe KESCO në fund kanë kërkuar që të mos e bartin të vetme barrën e "krizës botërore të energjisë dhe pasojat e saj në Kosovë. Ata kanë theksuar nevojën e veprimit urgjent të aktorëve tjerë në mënyrë që së bashku ta përballojnë këtë krizë".
- Ministrja e Ekonimisë, apel për kursimin e energjisë elektrike
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka apeluar javën e kaluar që qytetarët e vendit të kursejnë energjinë elektrike, për shkak të krizës për mungesë të saj e cila pritet të vijojë gjatë dimrit të ardhshëm.
Në fillim të muajit, Kuvendi i Kosovës miratoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për masat emergjente për furnizimin me energji elektrike.
Me këtë Qeveria propozon të shpallë masat emergjente për kufizim të furnizimit me energji të vlefshme në një kohëzgjatje maksimale deri në 60 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.