BALLKANI

Kadri Veseli ftohet nga Gjykata Speciale në Hagë

"Si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë sot kam pranuar ftesë nga Dhomat e Specializuara për t’u intervistuar më 4 dhjetor në Hagë", tha Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli

Agim Sulaj   | 07.11.2019
Kadri Veseli ftohet nga Gjykata Speciale në Hagë

Prishtinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nëpërmjet një konference për media njoftoi se është ftuar nga Gjykata Speciale për krime lufte në Hagë të Holandës, raporton Anadolu Agency (AA).

Veseli bëri të ditur se do t’i përgjigjet kësaj thirrjeje nga organet e drejtësisë ndërkombëtare. "Si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë sot kam pranuar ftesë nga Dhomat e Specializuara për t’u intervistuar më 4 dhjetor në Hagë", tha Veseli.

Ai theksoi se nuk është penduar për përgjigjen që i ka dhënë kërkesës së popullit të Kosovës për liri.

"Gjenerata ime si shumë gjenerata të tjera ka përjetuar shtypjen e rëndë të kombit tonë. Ne nuk jemi pajtuar me atë gjendje dhe unë jam krenar që i jam përgjigjur thirrjes së vendit për lirinë e kombit tim", theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Veseli tha se epoka e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është pjesa më krenare e jetës së tij dhe "kjo gjykatë do ta vërtetojë pafajësinë e luftës së UÇK-së". Ai shtoi se lufta e Kosovës për liri është sulmuar vazhdimisht.

"Që nga paslufta, ky është procesi i pestë i drejtësisë së cilës i nënshtrohet kjo luftë, duke filluar nga UNMIK-u, e për të vazhduar me Gjykatën e Hagës, EULEX-in, drejtësinë vendore si dhe tani me Gjykatën Speciale. Nuk besoj që në historinë e lëvizjeve çlirimtare të ketë pasur një shembull të tillë", tha ai.

Veseli tha se edhe kjo gjykatë do të ketë epilog dhe do t’i ndalë goditjet ndaj të vërtetës së popullit të Kosovës dhe UÇK-së.

Para Veselit, në korrik të këtij viti, nga po e njëjta gjykatë është thirrur kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje morale nga pozita e kryeministrit dhe dërgoi vendin në zgjedhje të parakohshme më 6 tetor.

Gjykata Speciale para tyre ka intervistuar edhe disa nga figurat kryesore të UÇK-së të cilët janë edhe pjesë e politikës kosovare, si Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Shukri Buja dhe të tjerë.

Gjykata Speciale merret me hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimeve penale të tjera lidhur me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, ku flitet për krime të pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e UÇK-së, në periudhën 1998-2000.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın