Prishtinë
Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK), ka vlerësuar se paga minimale në Kosovë e cila është më e vogla në Ballkan, duhet të rritet dhe për një gjë të tillë janë pjekur të gjitha kushtet, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një tryezë diskutimi ku të pranishëm kanë qenë përfaqësues të ndryshëm të punëtorëve dhe njohës ekonomikë, u diskutua për rritjen e pagës minimale dhe efektin që ajo mund të sjellë tek ekonomia.
Kryetari i ARBK-së, Agim Shahini tha se tashmë të gjitha kushtet për rritjen e pagës minimale, e cila për moshën mbi 30 vjeçare është 170 euro dhe nën moshën 30 vjeçare 130 euro, janë pjekur dhe duhet veprim.
Shahini tha se Këshilli Ekonomik Social tashmë duhet t’i rekomandojë Qeverisë rritjen e pagës minimale, të bazuar në ligje, për arsye të rritjes së çmimeve, të mungesës së punëtorëve në mënyrë që Kosova të ketë qarkullim më të mirë të parasë.
Ai tha se nëse paga minimale do të bëhej 250 euro, efekti në ekonominë e Kosovës do të jetë mbi 180 milionë euro.
“Nëse këto para do të futeshin në qarkullim, më shumë se 35 milionë euro do të ktheheshin tek shteti si tatim i rimbursueshëm. Prandaj, me rritjen e pagës nuk humb askush. E ruajmë fuqinë punëtore, e ruajmë dinjitetin e punëtorëve, e shtojmë buxhetin, të hyrat dhe gjitha këto bëjnë që vendi ynë të jetë më atraktiv për punëtorët”, theksoi ai.
Kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Jusuf Azemi, i cili përfaqëson punëtorët e sektorit privat, tha se për pagën minimale më së shumti ka nevojë sektori privat dhe fare pak sektori publik.
Ai tha se është e vështirë që milionerët në Kosovë të dinë dhe ta ndjejnë nevojën e rritjes së pagës minimale, por nëse bëhet fjalë për rritje, Azemi tha se ajo duhet të jetë 400 euro. Sipas llogarive që ai tha se ka bërë për një familje 4 anëtarëshe edhe kjo pagë prej 400 eurove, mezi mund të jetë e mjaftueshme.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se gjatë muajit mars ka propozuar që paga minimale në Kosovë të jetë 264 euro, por, kjo nuk është miratuar nga përfaqësuesit e sindikatave.
Me anë të një shkrimi, ministri Murati tha se ky mosvotim do t’i lë punëtorët e sektorit privat me pagën minimale ekzistuese.
Paga minimale nuk është negociuar që nga vitit 2011 në Kosovë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
