Ahmed Muharem
11 qershor 2023•Përditësim: 11 qershor 2023
Në Mal të Zi sot mbahen zgjedhjet parlamentare ku qytetarët do të zgjedhin përbërjen e re të Kuvendit, i cili ka 81 deputetë, raporton Anadolu.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe qytetarët do të mund të shfrytëzojnë të drejtën e votimit deri në orën 20:00. Të drejtë vote kanë 542.468 qytetarë.
Në zgjedhjet parlamentare marrin pjesë 15 lista. Siç u vendos me short, në fletëvotim në vendin e parë do të jetë partia "Është e qartë! - Partia Boshnjake - Ervin Ibrahimoviq", e dyta "HGI - Në anën e drejtë të botës!", dhe e treta "Drejtësi për të gjithë!" - dr. Vladimir Leposaviq”.
Lista e koalicionit të Partisë Popullore Socialiste dhe Demos "Për ty" do të jetë në vendin e katërt, lista e koalicionit të përbërë nga "Mali i Zi i Drejtë", Lëvizja Demokristiane, "Mali i Zi i Lirë", Partia Demokratike Serbe dhe Lëvizja për Plevlën do të jetë në vendin e pestë, me emrin "Koalicioni Popullor – të bashkuar dhe pikë".
Në vendin e gjashtë renditet lista e Aleancës Shqiptare, koalicion i përbërë nga Forca, Aleanca Demokratike, Aleanca Demokratike e Malit të Zi dhe grupi qytetar Lëvizja për Tuzin, e ndjekur nga lista "Lëvizja për një Mal të Zi të sigurt - Sërxhan Periq", pastaj lista “Lëvizja për Ndryshime – Mali i Zi i Pari - Nebojsha Medojeviq – Reforma për shpëtimin e vendit”.
Lista e "Po. Ne mundemi për një Mal të Zi qytetar!” është në vendin e nëntë. Në vendin e dhjetë është lista e koalicionit të përbërë nga Partia Demokratike e Socialistëve, Socialdemokratët, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Partia Liberale – “Së bashku! Për të ardhmen që ju takon - Danijel Zhivkoviq”.
Lista “Evropa tani – Milojko Spajiq” është në vendin e 11-të, e ndjekur nga “SDP – Për shtëpinë tonë”, dhe më pas lista e koalicionit të Lëvizjes Qytetare URA dhe Demokratëve “Aleksa dhe Dritan – Numëroni me guxim.!".
Në vendin e 14-të është lista e koalicionit të Demokracisë së Re Serbe, Partisë Popullore Demokratike dhe Partisë Punëtore “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, dhe në vendin e 15-të është lista e Forumit Shqiptar, e cila përbëhet nga Alternativa Shqiptare, Aleanca Demokratike e Shqiptarëve dhe Unioni Kombëtar i Shqiptarëve, me emrin “Forumi Shqiptar – Nik Gjeloshaj “BESA për Zhvillim Evropian”.
Votimi në gjithsej 1.162 qendra votimi monitorohet nga vëzhgues të OSBE-së, përfaqësues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CEMI) dhe Qendrës për Tranzicion Demokratik (CDT).
Zgjedhjet e sotme parlamentare janë të dymbëdhjetat që nga vendosja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi dhe të gjashtat pas pavarësisë.
Rezultatet preliminare të zgjedhjeve do të shpallen rreth orës 21:30.