Agim Sulaj
27 Shkurt 2023•Përditësim: 28 Shkurt 2023
Grupi i Miqësisë me Maqedoninë e Veriut i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka pritur në takim Grupin Parlamentar të Maqedonisë së Veriut për Bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, raporton Anadolu.
Siç u bë e ditur ky është takimi i parë në historinë e dy parlamenteve.
Në këtë takim, siç tha deputetja kosovare Ganimete Musliu, u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen, duke filluar nga kalimi në pikën kufitare dhe duke vazhduar me aspekte shëndetësore, çështje të arsimit, bashkëpunimin në politikat e jashtme.
"Të dyja grupet erdhëm në përfundim që kemi nevojë të takohemi më shpesh dhe t’i bashkërendojmë agjendat tona në pikat ku ne vërtetë mund të bashkëpunojmë si dy shtete fqinje të cilat edhe gjeografikisht janë afër por edhe natyralisht interaktiviteti i dy popujve tanë është shumë i shpeshtë dhe shumë aktiv", theksoi Musliu.
Afrim Gashi nga Grupi Parlamentar i Maqedonisë së Veriut për Bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, tha se kanë konstatuar se raportet midis dy shteteve janë të shkëlqyeshme por gjithmonë ka hapësirë për përmirësim të raporteve.
Gashi tha se në takim u fokusuan në atë se cilat janë fushat në të cilat mund të zhvillohet bashkëpunimi, në funksion të lehtësimit dhe përmirësimit të kushteve për jetë sa më të mirë të qytetarëve në të dyja shtetet.
"Sa më të mira të jenë raportet midis dy shteteve tona, aq më mirë do të jetë për qytetarët e dy shteteve tona dhe kjo gjithsesi do të jetë reflektim për vendet tona dhe të rajonit dhe do të jemi një shembull pozitiv apo pikë e bardhë e Ballkanit në funksion të ecjes tonë të përbashkët rreth rrugëtimit të dy shteteve tona në integrimin në NATO dhe BE", theksoi Gashi.
Gashi tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet ta përmirësojnë njëra-tjetrën në rrugën e tyre euro-atlantike gjithmonë në të mirë të qytetarëve të të dyja shteteve.
Grupi i Miqësisë me Maqedoninë e Veriut i Kuvendit të Kosovës dhe Grupi Parlamentar i Maqedonisë së Veriut për Bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës do të zhvillojnë edhe një drekë pune, ndërsa do të priten edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca si dhe Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë.