Agim Sulaj
13 qershor 2023•Përditësim: 13 qershor 2023
Këshilli i Bashkimit Evropian (BE) ka emëruar Giovanni Pietro Barbano shef të ri të Misionit të Sundimit të Ligjit të BE-së në Kosovë (EULEX), transmeton Anadolu.
Barbano do ta zëvendësojë Lars Gunnar Wigemark si udhëheqës i përkohshëm i Misionit EULEX, të cilit Këshilli i BE-së së fundmi ia ka zgjatur mandatin deri më 14 qershor të vitit 2025 në përputhje me rishikimin e fundit strategjik të EULEX-it në Kosovë.
Këshilli po ashtu vendosi që "përveç vazhdimit të zbatimit të detyrave të tij, misioni do të ndihmojë autoritetet përmbarimore të Kosovës duke zhvilluar kapacitetet e tyre për të shkëmbyer informacione me homologët rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e asistencës ligjore dhe bashkëpunimit në çështjet penale”.
Barbano është gjeneral major në Karabinierët e Italisë dhe drejtor aktual i Qendrës së Ekselencës për Njësitin e Policisë së Stabiliteit në Vicenza të Italisë, ndërsa mandati i tij si shef i EULEX-it do të fillojë nga 26 qershori deri më 14 qershor 2025.
Vendimi për emërimin e tij si shef i EULEX-it u ndërmor nga anëtarët e vendeve të BE-së në Komisionin për Politikë dhe Siguri.
Misioni EULEX në Kosovë ka nisur nga viti 2008 me qëllim të ndihmës për autoritetet kosovare në vendosjen e sundimit të qëndrueshëm dhe të pavarur të institucioneve “me fokus në fushën e policisë, gjyqësorit dhe doganave dhe përmes shtyllave të monitorimit dhe operacioneve”.
EULEX funksionon në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.