Fillon në Shkup Forumi Maqedonas i Energjisë
Ministri Mexhiti tha se sot Ballkani Perëndimor ka mundësinë të mos jetë vetëm ndjekës, por udhëheqës në transformimin energjetik dhe klimatik

Shkup
Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, ka filluar Forumi Maqedonas i Energjisë (MEF), raporton Anadolu.
Edicioni i 8-të i këtij forumi nën moton "Hartimi i së ardhmes energjetike të Ballkanit Perëndimor" mblodhi së bashku ministra qeveritarë të vendeve të rajonit, ekspertë, zyrtarë të lartë të institucioneve ndërkombëtare.
Turqia në këtë forum përfaqësohet nga zëvendësministrja e Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, Fatma Varank.
Në fjalimin e tij në hapjen e forumit, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti tha se forumi është shndërruar në pikën qendrore të dialogut rajonal për të ardhmen energjetike.
Ai tha se sot nuk flasin vetëm për energji, por edhe për vizionin që duan të ndërtojnë për shtetet dhe qytetarët e tyre si dhe për planetin. "Në një kohë turbulencash globale gjeopolitike, ekonomike dhe klimatike kemi një zgjedhje. Ose të vazhdojmë të përshtatemi ndaj krizave ose do të marrim përgjegjësinë për të formësuar të ardhmen", u shpreh ai.
Mexhiti gjithashtu theksoi se sot Ballkani Perëndimor ka mundësinë të mos jetë vetëm ndjekës, por udhëheqës në transformimin energjetik dhe klimatik.
Forumi do të përfundojë nesër me sesione të ndryshme, përfshirë ato kushtuar të ardhmes energjetike të Ballkanit Perëndimor.