BALLKANI

Feride Rushiti, kosovarja e nominuar për Nobel 2025

Në një tryezë të mbajtur në Prishtinë, para një audience, Feride Rushiti, ka rrëfyer rrugëtimin e saj profesional nga periudha e luftës 1998-99, deri tek ky nominim

Agim Sulaj  | 05.02.2025 - Përdıtësım : 05.02.2025
Feride Rushiti, kosovarja e nominuar për Nobel 2025

Prishtinë

Kosovarja Feride Rushiti dhe organizata e saj Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025, raporton Anadolu.

Rushiti dhe organizata e saj, që merren që nga periudha e luftës së fundit në Kosovë me rehabilitimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale, janë nominuar për Nobel javë më parë nga deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson.

Jacobsson në letrën e dërguar tek Komiteti i Institutit norvegjez të Nobelit, ka thënë se këtë vendim e ka ndërmarrë për të njohur "kontributet e jashtëzakonshme" të Rushitit dhe QKRMT-së "në avancimin e të drejtave të njeriut, dinjitetit të të mbijetuarve dhe shërimit të plagëve të luftës të komuniteteve".

Në një tryezë të mbajtur në Prishtinë, para një audience, Feride Rushiti, ka rrëfyer rrugëtimin e saj profesional nga periudha e luftës 1998-99, deri tek ky nominim.

Ajo tha se fillimisht ka hasur në pengesa të ndryshme deri sa qytetarët e kanë kuptuar qartë vizionin dhe qëllimin e punës së organizatës së saj.

Duke folur për përvojat e saj me të dhunuarat dhe të dhunuarit seksual gjatë luftës, Rushiti, ndau për opinionin publik një rast kur ka gjetur një grup grash të dhunuara në një tendë të izoluar për të mos hyrë të huajt por as familjarët e të dhunuarve.

"Më kujtohet si sot kur kam hyrë në atë tendë i kam gjetur gjithë ato gra me kokë poshtë. Ishin të mbyllura në atë guacën e tyre të dhimbjes, të turpit që mbizotëronte dhe ishte moment mjaft sfidues për të arritur se si të fillohet me to. Pastaj, dalëngadalë duke biseduar se çfarë dhe si ka ndodhur ato filluan të rrëfenin se mënyra se si ishin dhunuar kishte lënë plagë aq të thella sa që nuk arrinin as të artikuloheshin as të tregonin ngjarjen. Shumë nga to thonin se në momentin kur ndodhi akti i shëmtuar kam qenë pa vetëdije. Por, ai ishte një lloj mekanizmi mbrojtës nga frika për t’u futur tek ngjarja traumatike. Pastaj, disa nga to shkëpusnin momente kur nuk kanë arritur t’i gjejnë rrobat pas lirimit", theksoi Rushiti.

Rushiti thotë se në fillimet e para të organizatës së saj, ka pasur skepticizëm nga të gjithë me të cilët e ka diskutuar idenë e hapjes së saj, për shkak se koncepti psiko-social dhe fusha e trajtimit ishte diçka e re për vendin.

Por, historitë që ajo kishte dëgjuar nga njerëzit e dhunuar, ishin ato që e motivuan për të vazhduar misionin human në zbardhjen e të vërtetës dhe ndihmën për viktimat.

"Historitë e trishtueshme, ato zëra të ngrysura që kam dëgjuar në kampet e refugjatëve, nuk të lënë të mbetesh pasiv. Të detyrojnë të bëjnë diçka për ta, pavarësisht, sfidave, barrierave shoqërore", thekson Rushiti.


- Nominimin e Rushitit për Nobel e ka uruar dhe mbështetur edhe presidentja Vjosa Osmani

Rushiti e cila themeloi QKRM-në më 1999 me misionin për të ofruar trajtim dhe rehabilitim për viktimat e torturës në Kosovë, kontribuon për të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovë në parandalimin dhe çrrënjosjen e torturës dhe të gjitha formave të keqtrajtimit.

Nominimin e Rushitit për Nobel e ka uruar dhe mbështetur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se ky nominim është njohje e punës dhe përkushtimit të organizatës dhe zonjës Rushiti, "e cila ka kontribuar në forcimin e shtetit të Kosovës dhe avancimin e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale".

Sipas statutit të Fondacionit të Nobelit, nominimin për Çmimin për Paqe, në mesin e të tjerëve, mund ta bëjnë edhe anëtarë të parlamenteve dhe qeverive kombëtare të shteteve sovrane dhe presidentët, anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit në Hagë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın