Özcan Yıldırım
09 Korrik 2019•Përditësim: 09 Korrik 2019
Megjithë kontributin e madh të Turqisë në sigurinë e Evropës, duke përfshirë ndihmën për të mbështetur dhe strehuar valën e migrantëve, ndihma e pritur nga vendet evropiane nuk arriti të materializohet, tha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).
"Ne kemi dhënë kontribute të paçmueshme për sigurinë e të gjithë kontinentit evropian, veçanërisht në vendet e Ballkanit, por e nuk kemi parë mbështetjen dhe qëndrimin humanitar që pritëm nga miqtë tanë evropianë gjatë kësaj kohe të vështirë", tha Erdoğan në Sarajevë.
Erdoğan i bëri këto komente në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në kryeqytetin e Bosnjë dhe Hercegovinës, ku u diskutua stabiliteti, siguria dhe bashkëpunimi në Ballkan.
Ai tha se rajoni është përballur me një valë migrimi të parregullt nga Siria, Iraku, Afganistani dhe Afrika e Veriut.
"Teksa vendet evropiane nuk mund të arrijnë marrëveshje për kuota prej dhjetëra refugjatësh, Turqia tani strehon më shumë se katër milionë refugjatë, duke përfshirë 3,6 milionë sirianë", tha Erdoğan.
Ai shtoi se Turqia ka shpenzuar mbi 37 miliardë dollarë vetëm për sirianët.