Husamedin Gina
01 shtator 2020•Përditësim: 01 shtator 2020
Zëvendës-kryeministri i Maqedonisë së Veriut për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, me rastin e pranim-dorëzimit theksuan se me formimin e Qeverisë së re do të ristartohen të gjitha proceset e rëndësishme që dalin nga marrëveshjet me Athinën dhe Sofjen, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke theksuar se për herë të parë në historinë demokratike rë Maqedonisë së Veriut, ka një lloj rrokade mes dy dikastereve që natyrisht janë të afërta, Dimitrov tha se suksesi i tij i përbashkët me Bujar Osmanin është drita e gjelbër nga muaji mars për fillimin e procesit aderues me Bashkimin Evropian (BE).
Duke u përgjigjur në një pyetje të gazetarëve nëse Bullgaria do t’i bllokojë bisedimet me BE-në me ultimatum për gjuhën dhe historinë maqedonase, Dimitrov tha se nuk mund Bullgaria të fitojë nga komplikimi i ardhmërisë evropiane të Maqedonisë së Veriut.
“Gjuha maqedonase është puna jonë dhe për ne kjo çështje është e mbyllur veçmas pas finalizimit të letërnjoftimit të shtetit në Kombet e Bashkuara. Në këto korniza do të kërkojmë mençuri dhe këmbëngulje në tejkalimin e të gjitha çështjeve me Bullgarinë fqinje. Nuk mund Bullgaria të fitojë nga komplikimi i ardhmërisë evropiane të Maqedonisë së Veriut”, tha Dimitrov.
Duke theksuar se problemi paraqet sfidë të madhe, Dimitrov tha se kemi dëshmuar se nuk frikësohemi nga sfidat dhe se do të përballemi me siqeritet, drejtpërdrejt duke e ditur se çfarë nevojitet për të mbrojtur interesin nacional.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani tha se me formimin e Qeverisë së re pret ristart të të gjitha proceseve të rëndëshme dhe se mes prioriteteve të agjendës së tij do të jenë Athina dhe Sofja, në aspektin e thellimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore.
“Lidhur me kornizën negociuese dhe marrëdhëniet me Bullgarinë unë konsideroj një Maqedoni stabile, perspektive, evropiane, që është parakusht për një rajon stabil dhe perspektiv evropian, e kjo është në interes të të gjitha vendeve në rajon përfshirë edhe Bullgarinë”, tha Osmani.