Ahmet Nurduhan
02 shtator 2022•Përditësim: 05 shtator 2022
Liderët e rajonit të Ballkanit që morën pjesë në samitin e nismës "Ballkani i Hapur" (Open Balkan) në Beograd, mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vuri në dukje se në vend të luftërave, konflikteve dhe problemeve, në samit u diskutua për marrëdhëniet e mira mes vendeve pjesëmarrëse dhe shprehu kënaqësinë e tij për këtë situatë.
Kryeministri Rama theksoi se kanë nënshkruar marrëveshje të ndryshme në kuadër të samitit dhe se marrëveshjet e nënshkruara janë të rëndësishme për lehtësimin e jetës së popujve të këtyre vendeve.
Duke vënë në dukje se vendi i tij ishte në gjendje të siguronte vaksina kundër COVID-19 nga Тürkiye dhe vende të tjera gjatë periudhës së pandemisë, Rama tha që shpreson që BE-ja të mos bëjë sërish "turpin që bëri me ne gjatë periudhës së pandemisë" pasi, siç tha ai, "Bashkimi Evropian u mbyll dhe pa vetëm brenda mureve të kështjellës së vet".
Nga ana tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se samiti në fjalë ishte produktiv dhe se është e rëndësishme të ruhet paqja mes vendeve të rajonit.
Duke deklaruar se ky dimër do të jetë shumë sfidues, Vuçiq tha: "Ne si vende të Ballkanit Perëndimor do të kërkojmë ndihmë nga Bashkimi Evropian në fushën e energjisë".
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, nënvizoi rëndësinë e ditës së sotme për rajonin dhe falënderoi të gjithë ata që e mbështetën organizimin e samitit.
Duke theksuar rëndësinë e të vepruarit së bashku, Kovaçevski tha: "Në këtë mënyrë, nëse veprojmë së bashku, ne mund të tërheqim më shumë investitorë në rajon".
Në konferencën për media folën edhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija, i cili tha se ndihet i "pikëlluar" që vendi i tij nuk është pjesë e Ballkanit të Hapur, si dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili po ashtu e cilësoi nismën si të rëndësishme për rajonin.
Ndryshe, sot në Beograd u mbajt Samiti i Liderëve në kuadër të nismës "Ballkani i Hapur", ku morën pjesë përfaqësues të Türkiye-s, Bosnjë dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Hungarisë, përveç anëtarëve të iniciativës Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.