BALLKANI

Rama: “Ballkani i Hapur” është një mekanizëm për të përshpejtuar procesin e integrimit

Gjatë interpelancës në Kuvendin e Shqipërisë, kryeministri Rama foli në lidhje me nismën "Ballkani i Hapur" sa i përket qëllimeve të saj dhe mbi dobitë e nismës për Shqipërinë

Fatjon Cuka  | 02.12.2021 - Përdıtësım : 03.12.2021
Rama: “Ballkani i Hapur” është një mekanizëm për të përshpejtuar procesin e integrimit Foto: Arkiv / AA

Tiranë

Në një interpelancë në Kuvendin e Shqipërisë, kryeministri Edi Rama, tha se nisma "Ballkani i Hapur" nuk është as zëvendësim, as tjetërsim dhe as transformim në diçka tjetër i “Procesit të Berlinit” apo sipas tij i vetë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë interpelancës të kërkuar nga deputeti i partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë, Tritan Shehu, kryeministri Rama foli në lidhje me nismën në fjalë, sa i përket qëllimeve të saj dhe mbi dobitë e nismës për Shqipërinë.

"Ballkani i Hapur është një mekanizëm për të jetësuar Procesin e Berlinit dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit, ku adresohet në mënyrë praktike domosdoshmëria që piketat e mbetur në letër të Procesit të Berlinit të transformohen në kilometra të bëra bashkërisht drejt realizimit të vizionit të këtij procesi, si dhe adresohen po ashtu nevojat e drejtpërdrejta të qytetarëve, të prodhuesve, të përpunuesve apo të tregtuesve të këtij vendi", u shpreh Rama.

Ai shtoi se "fakti është që ne jetojmë në një gjeografi që nuk e kemi zgjedhur dhe në këtë hapësirë gjeografike ku ne jetojmë, jemi në kushtet ku duhet të bëjmë çmos të stimulojmë prodhimin, të stimulojmë eksportet, të stimulojmë ndërveprimet.".

Rama theksoi ndër të tjera se dëshirojnë krijimin e një tregu të përbashkët rajonal ku të zbatohen katër liritë e Bashkimit Evropian (BE).

Duke iu përgjigjur pretendimeve të deputetit Shehu, Rama tha se, "Se ku hyn këtu Jugosllavia e re, unë nuk e gjej dot. Kur ju them që këtu bëhet fjalë për një hapësirë që nuk është asgjë tjetër veçse një hapësirë ku ne duam e unë synoj zbatimin e katër lirive të Bashkimit Evropian. Ky është një krahasim absurd, i panevojshëm, i pakuptimtë, por thjeshtë një lojë fjalësh për të cenuar pikërisht nismën, një nismë që për mua është interes kombëtar, është interes publik".

"Unë di që Ballkani i Hapur është një njësi zbatimi e shteteve e Procesit të Berlinit dhe unë di që ne i kemi ftuar të gjitha vendet të bëhen pjesë. Unë di që Kosova humbet një shans edhe për atë çka përbën problemin më të madh që ne kemi me Serbinë si dy shtete, duke munguar në atë tryezë dhe unë di që historia e tregon, pa bërë këtu historinë e shumë konflikteve se ndërtimi i marrëdhënieve ekonomike dhe nxitja e ndërveprimeve ekonomike është përdorur në histori si një katalizator për të zgjidhur çështje politike", tha Rama.

Ndërkohë, duke folur për nismën "Ballkani i Hapur”, deputeti Shehu tha se “ajo u ndërtua në përputhje me vizionin gjeopolitik të Serbisë”, që sipas tij “bie ndesh me interesat tona, interesat e rajonit dhe perspektivën tonë evropiane”.

Kujtojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia emërtuan nismën për bashkëpunim midis vendeve të Ballkanit Perëndimor nisma “Ballkani i Hapur", ndërsa janë ftuar që pjesë e saj të bëhen edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.