Automjetet e FSK-së hynë gabimisht në territorin e Mitrovicës së Veriut
Rastin e ka konfirmuar për mediat lokale në Kosovë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, pas raportimeve të mediave serbe

Prishtinë
Automjete të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë hyrë gabimisht në territorin e Mitrovicës së Veriut gjatë ditës së sotme, ku kanë qëndruar për disa minuta dhe më pas janë larguar në drejtim të Mitrovicës së Jugut, transmeton Anadolu.
Rastin e ka konfirmuar për mediat lokale në Kosovë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, pas raportimeve të mediave serbe dhe videove të cilat qarkulluan në rrjete sociale të automjeteve të FSK-së duke qarkulluar në Mitrovicën e Veriut.
Dëshmitarë okularë kanë thënë për mediat serbe në Kosovë se automjetet qëndruan aty për rreth dhjetë minuta. Ishin pothuajse dhjetë automjete, përfshirë disa Hummer dhe tre deri në katër kamionë.
Ndërkohë, zëvendësdrejtori policor Elshani konfirmoi se automjetet ishin të FSK-së. Ai shtoi se ata kaluan rreth pesë minuta në një stacion karburanti, ku policia i ka parë dhe i ka pyetur për situatën, ndërsa pjesëtarët e FSK-së janë përgjigjur se kishin gabuar vendndodhjen dhe kishin menduar se ishin në Mitrovicën e Jugut.
Elshani gjithashtu theksoi se pjesëtarët e FSK-së nuk kishin armë.
Kur u pyet nga mediat serbe se si është e mundur që FSK-ja të bëjë një gabim të tillë në përcaktimin e vendndodhjes, Elshani u përgjigj se kjo është “pyetje e mirë”, por për FSK-në.
Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.
Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.