BALLKANI

"Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik"

"Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik i republikës sonë për të cilin do të angazhohemi me gjithë potencialin tonë", ka thënë u.d. e presidentit, Vjosa Osmani

Agim Sulaj  | 27.11.2020 - Përdıtësım : 28.11.2020
"Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik" ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Nën patronazhin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), sot është mbajtur manifestimi qendror i “Ditës së Forcës” në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Manifestimi i cili hapë dyert për qytetarët kësaj radhe është mbajtur me kapacitete të reduktuara për shkak të pandemisë

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, e cila është edhe komandanti suprem i FSK-së, u është drejtuar për herë të parë ushtarëve me rastin e Ditës së Forcës. Për shkak të izolimit të saj si pasojë e infektimit me koronavirus, mesazhi i Osmanit është transmetuar me video para pjesëmarrësve.

Me këtë rast Osmani tha se anëtarësimi i Kosovës në Aleancën Veri-atlantike NATO mbetet synim strategjik i Kosovës, në kohën kur FSK-ja po shndërrohet në ushtri moderne falë punës së pjesëtarëve të saj dhe mbështetjes nga aleatët.

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik i republikës sonë për të cilin do të angazhohemi me gjithë potencialin tonë. Të dashur ushtarakë, Kosova sivjet shënoi 21 vjetorin e lirisë dhe 12 vjetorin e pavarësisë. Në këta përvjetorë ne rikujtuam rrugën tonë, por edhe lavdinë tonë. E rikujtuam sakrificën tonë për liri dhe çmimin e paguar. E rikujtuam po kështu edhe qëndresën tonë, vizionin tonë dhe vlerat që na bashkojnë. Sikur e kemi theksuar edhe më herët në përvjetorët e çlirimit dhe të pavarësisë: askush më mirë se populli i Kosovës nuk e kupton në thelb rëndësinë e të jetuarit në një vend të lirë dhe të sigurt”, theksoi Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha Qeveria e Kosovës ka plane të detajuara për zhvillimin dhe modernizimin e FSK-së. Sipas kryeministrit Qeveria do të vazhdojë ndihmën për edukimin, pajisjet dhe obligimet e saj.

Hoti tha se Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet e rajonit dhe është e vendosur që edhe marrëdhëniet me Serbinë të zgjidhen njëherë e përgjithmonë, duke arritur një marrëveshje përfundimtare të obligative përmes dialogut, me qëllimin e vetëm njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve të pavarura.

“Është e qartë se asnjë marrëveshje gjysmake nuk garanton paqe dhe stabilitet në rajon. Prandaj ne jemi të përkushtuar për zgjidhjen e të gjitha çështjeve që kanë mbetur pezull, ndër të cilat çështja e të zhdukurve, është njëra ndër temat më të rëndësishme. Për fat të keq edhe sot e kësaj dite në Serbi vazhdojmë të gjejmë varreza masive me eshtra të civilëve shqiptarë të Kosovës të cilët janë rrëmbyer, janë ekzekutuar mizorisht dhe janë hedhur në varreza të përbashkëta anekënd Serbisë”, tha Hoti.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Anton Quni, duke uruar të pranishmit për dy-vjetorin e shndërrimit të FSK-së në ushtri, tha se ministria që udhëheqë ai dhe FSK-ja me sukses ka përmbushur të gjitha objektivat vjetore.

Ndërkaq, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se FSK-ja punon çdo ditë me përkushtim që të tregojë sukses në vend dhe rajon. Ai tha se për të avancuar në ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe që FKS të jetë e aftë ta mbrojë vendin “kërkon sakrificë dhe përkushtim nga të gjitha nivelet”.

“Dita e Forcës”, mbahet tradicionalisht me dyer të hapura për qytetarët me qëllim që të mirëpriten vizitorët në kazermat në Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozotin, për t'u njohur me ambientet dhe pajisjet e ndryshme të cilat dëshmojnë kapacitetet e FSK-së.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.