Abdula Berisha
06 qershor 2022•Përditësim: 07 qershor 2022
Vizita e ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov është anuluar pasi tre vende mbyllën hapësirat ajrore për avionin e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se ka refuzuar kërkesën për shfrytëzimin e hapësirës ajrore.
"MPJ ka refuzuar kërkesën e Ambasadës ruse për lejen që të shfrytëzohet hapësira ajrore për fluturim deri në Beograd, për shkak që Qeveria tashmë ka sjellë vendim për mbylljen e hapësirës ajrore të Maqedonisë së Veriut për transportuesit ajror të Federatës Ruse", thuhet në njoftimin e MPJ-së së Maqedonisë së Veriut.
Ndërkohë, mediat në rajon njoftojnë se përpos Maqedonisë së Veriut, edhe Mali i Zi dhe Bullgaria nuk dhanë leje kalimi për avionin e ministrit rus, duke rezultuar në anulimin e vizitës së tij.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç lidhur me vendimin e tre vendeve do të bisedojë sot me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harcenko, ndërsa brenda ditës do të mbajë një fjalim drejtuar popullit.