Ambasada e Turqisë dhe MATUSITEB organizojnë program iftari në Shtip
Në program morën pjesë ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, kryetari i Komunës së Shtipit, Ivan Jordanov, myftiu i Shtipit, Nasir Rexhepi, dhe të ftuar të tjerë
Shtip
Ambasada e Turqisë në Shkup dhe Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke të të Maqedonisë së Veriut (MATUSITEB) organizuan një program iftari në qytetin e Shtipit, në pjesën qendrore të vendit, raporton Anadolu.
Në iftarin e organizuar në një restorant në Shtip morën pjesë ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, kryetari i Komunës së Shtipit, Ivan Jordanov, myftiu i Shtipit, Nasir Rexhepi, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, politikanë, qytetarë turq të Maqedonisë së Veriut si dhe studentë turq që studiojnë në Shtip.
Ambasadori Ulusoy, në fjalën e tij, tha se shoqëria turke kontribuon në mënyrë të rëndësishme në zhvillimin e klimës së unitetit dhe vëllazërisë në Maqedoninë e Veriut, e cila mbështetet në pasurinë etnike dhe kulturore.
Ai theksoi se një nga lidhjet njerëzore mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut janë edhe të rinjtë turq që studiojnë në këtë vend, duke shtuar se “studentët kontribuojnë në ekonominë e qyteteve ku arsimohen dhe në diversitetin kulturor”.
Ulusoy rikujtoi se ditët e fundit, Fondacioni i Çështjeve Fetare i Turqisë (TDV) ka hapur për adhurim gjatë muajit të Ramazanit xhaminë më të madhe të Maqedonisë së Veriut të ndërtuar në Shkup dhe ftoi të gjithë ta vizitojnë atë.
Nga ana e tij, Jordanov shprehu kënaqësinë që mori pjesë në këtë iftar si shenjë e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës, unitetit dhe solidaritetit, duke theksuar se kjo është dëshmi e bashkëpunimit që ekziston dhe që pritet të thellohet edhe më tej në të ardhmen.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
