Gorana Jakovljevic
06 Gusht 2022•Përditësim: 07 Gusht 2022
Zëvendëskryeministri i Kroacisë dhe njëherësh ministër i Brendshëm dhe shef i Shtabit të Mbrojtjes Civile, Davor Bozhinoviq tha se sot 11 persona kanë humbur jetën në një aksident trafiku në autostradën A4 dhe se një person tjetër ka vdekur në spital, raporton Anadolu Agency (AA).
"Mëngjesin e sotëm një autobus me targa polake është aksidentuar në autostradën A4", tha Bozhinoviq. Ai tha se në orën 05:35 Qendra 112 ka marrë informacionin e parë se një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në autostradën A4 nga një autobus me shtetas polakë.
Ai shtoi se menjëherë në terren kanë dalë të gjitha shërbimet emergjente, ambulanca e parë me 16 ekipe si dhe policia dhe zjarrfikëset.
Sipas tij, në spitalet në Varazhdin, Zagreb dhe Çakovec janë hospitalizuar 32 persona dhe shumë udhëtarë kanë pësuar lëndime të rënda.
Bozhinoviq tha se dihet se autobusi është nisur, gjegjësisht se është regjistruar në një vend afër Varshavës, kryeqyteti i Polonisë.
“Sipas disa informacioneve bëhet fjalë për një grup që planifikonte të shkonte në një turne pelegrinazhi në vendin e quajtur Medjugorje”, tha ai.
Asnjë në autobus nuk ka kaluar pa lëndime ndërsa policia po heton shkaqet e aksidentit.
Në pyetjen nëse kishte fëmijë në autobus, Bozhinoviq tha: "Të gjithë që kemi shtruar në spitale dhe që kemi identifikuar në vendin e aksidentit, aty nuk ka pasur fëmijë".
Autoritetet kroate janë në kontakt me autoritetet polake, veçanërisht me Ambasadën e Polonisë në Kroaci.
Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç ka biseduar me kryeministrin polak Mateusz Morawiecki në lidhje me aksidentin e rëndë të trafikut në afërsi të Brezniçki Hum dhe ka shprehur ngushëllimet e tij dhe ka siguruar se të gjitha shërbimet janë të angazhuara dhe se të lënduarve po u jepet ndihmë.