Sibel Vezaj
08 Dhjetor 2016•Përditësim: 08 Dhjetor 2016
PRISHTINË (AA) - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Francë, sot ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule në memorialin pranë Teatrit Bataclan, për t’i nderuar viktimat e sulmeve terrorist të nëntorit të vitit 2015 që përgjakën Parisin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Kuvendi i Kosovës bëhet e ditur se me këtë rast, kryeparlamentari Veseli ka thënë se Kosova solidarizohet me Francën, duke shprehur përkushtimin e plotë të shtetit të tij në luftën kundër terrorizmit.
"Sot u përkulëm te vendi ku ranë viktimat e terrorit, vitin e kaluar, në Paris. Shprehim keqardhjen tonë dhe solidarizohemi me familjet e viktimave dhe popullin e Francës. Ne ndajmë vlerat e njëjta si Republikë e Kosovës dhe jemi aleatë në luftën kundër terrorizmit", ka thënë kryeparlamentari Veseli.
Veseli, po ashtu është shprehur se sulmi në Paris ka bërë që e gjithë bota demokratike të bashkohet dhe t’i intensifikojë përpjekjet në luftën kundër të së keqes.