Saimir Alija
02 Korrik 2018•Përditësim: 02 Korrik 2018
TIRANË (AA) - Tryeza e diskutimit me temë: “Çfarë pritet nga Shqipëria pas konkluzioneve të Këshillit të BE-së për Çështjet e Përgjithshme: Pritshmëritë dhe detyrat”, ka mbledhur në Tiranë zyrtarë të lartë të vendit dhe përfaqësues të delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në fjalën e tij tha se është e nevojshme për të thelluar kursin e reformave, përfshirë të gjithë spektrin politik shqiptar dhe duke vazhduar më tej procesin e transformimit shoqëror.
“Nuk ka diskutim dhe në asnjë lloj rrethane, duke u nisur edhe nga precedenti që BE-ja ka vendosur me Malin e Zi dhe Serbinë, të cilat janë vende para nesh në këtë proces. Çdo lloj vendimi nga ana e BE-së edhe në analizën më optimiste që ne bënim do të ishte në hapat e ndërmjetëm. Nuk ka diskutim që do të ishte dashur që ky precedent të mos ishte vendosur ndoshta që në rastin e Malit të Zi dhe Serbisë. Aty për herë të parë BE-ja filloi procesin analitik para fillimit zyrtarisht të negociatave të anëtarësimit”, tha Bushati.
Duke folur për procesin analitik, Bushati tha: "Në korrik ne do të kemi mundësi të fillojmë procesin e punës analitike, fillimisht për kapitujt 23 dhe 24 që janë kapituj që kanë lidhje me lirinë, drejtësinë, sigurinë, të drejtat e njeriut dhe besoj se 1 vit kohë do të jetë i mjaftueshëm, si për ne ashtu dhe për fqinjin tonë për të përfunduar punën përgatitore, në mënyrë që të fillojë zyrtarisht procesi i bisedimeve për anëtarësim”.
“Për herë të parë 12 prioritetet janë vendosur në momentin që Shqipëria aplikoi për t'u anëtarësuar në BE. Nuk ka qenë asnjëherë kusht nga ana e BE-së procesi i Vettingut. Shqipëria ka zgjedhur vetë për të pasur një prani kombëtare në procesin e Vettingut. Nuk na e ka imponuar askush këtë model. Konkluzionet e Këshillit të BE-së pasqyrojnë dhe atë çka ka shkruar komisioni në raportin e tij”, deklaroi Bushati
Ndërsa ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin, në fjalën e saj tha se Shqipëria ka humbur shumë kohë në të shkuarën dhe "duhet të fitojmë kohë për Shqipërinë sa më shpejtë të jetë e mundur dhe jam e lumtur që konkluzionet e këshillit na japin mundësi për këtë gjë’.

“Ka tre elemente që shtrihen para nesh dhe janë shumë të rëndësishme. Së pari është aspekti teknik. Kur unë them që nuk po humbasim asnjë sekondë të vetme, i referohem faktit se procesi analitik do të fillojë tashmë. Kjo është një punë që po e bëni paraprakisht përpara hapjes formale të negociatave, por është shumë e rëndësishme, sepse kërkon shumë kohë, pavarësisht se kur do të ishte linja e nisjes zyrtare", tha Vlahutin.
Sipas Vlahutin, me reformën në gjyqësore është bërë një punë shumë e madhe. “Ky proces kërkon që të ketë bashkim. Duhet të jetë një objektiv i mirëfilltë kombëtar, për të cilin punon gjithkush. Këtu ka disa grupe interesi. sfidë kryesore është politika, pasi ky proces kërkon që të ketë bashkim. Duhet të jetë një objektiv kombëtar për të gjithë", tha Vlahutin.
Qëllimi i aktivitetit ku i pranishëm ishte edhe deputeti i Parlamentit Evropian, Knut Fleckenstein, ishte diskutimi i konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Evropian për Çështjet e Përgjithshme mbi zgjerimin dhe procesin e stabilizim asocimit si dhe për zhvillimet e pritshme deri në vitin 2019.