Fatjon Cuka
13 nëntor 2018•Përditësim: 13 nëntor 2018
TIRANË (AA) - Një grup i banorëve të Tiranës kanë protestuar para godinës së Bashkisë së Tiranës, për të kundërshtuar shembjen e banesave të tyre që preken nga projekti i ndërtimit të Unazës së Madhe të kryeqytetit, raporton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit fillimisht kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve në qendër të Tiranës, ndërsa më pas kanë tentuar që të hyjnë në ambientet e bashkisë, duke u përplasur me forcat e policisë.
Banorët protestues kanë kërkuar takim me drejtues të Bashkisë së Tiranës, për të biseduar rreth garancive që ata kërkojnë për dëmshpërblimin për shembjen e shtëpive të tyre.
Banorët që kanë protestuar edhe ditë të tjera kërkojnë që të marrin garanci të plotë për dëmshpërblimin, duke pretenduar se nuk është faj i tyre që janë ndërtuar banesat në zonën ku kalon segmenti rrugor i Unazës së Madhe.
Nga banesat që preken nga projekti dhe që pritet të shembet është edhe ajo e Nexhmije Hoxhës, e veja e ish-diktatorit Enver Hoxha.
Nga projekti i ndërtimit të Unazës së Re(Unazës së Madhe) të Tiranës parashikohet shembja e qindra banesave dhe objekteve të tjera, ku një pjesë e tyre nuk janë të legalizuara apo hipotekuara.
Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një konferencë për mediat pas protestës ka deklaruar se projekti do të vazhdojë. Veliaj tha se për banorët e prekur nga shembja e banesave, bashkia do të ofrojë qiranë për 3 vite.
Ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës vazhdon në disa segmente, ndërsa një pjesë është hapur për qarkullimin e automjeteve.