BALLKANI

Shqipëri, tryezë diskutimi mbi rëndësinë e informacionit mjedisor

Në aktivitet është diskutuar për aksesin në informacionin mjedisor në Shqipëri, si dhe për monitorimin dhe menaxhimin e tij

Saimir Alija  | 13.11.2018 - Përdıtësım : 14.11.2018
Shqipëri, tryezë diskutimi mbi rëndësinë e informacionit mjedisor ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

TIRANË (AA) – Takimi me temë “Rëndësia e përcjelljes së informacionit mjedisor për një qytetari”, mbajtur në Tiranë, kishte në fokus diskutimet mbi menaxhimin e informacionit mjedisor në Shqipëri dhe çështje të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).

I organizuar nën kujdesin e organizatave të shoqërisë civile dhe me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit të Shqipërisë, në aktivitet është diskutuar për aksesin në informacionin mjedisor në Shqipëri, si dhe për monitorimin dhe menaxhimin e tij.

Në fjalën e tij në aktivitet, përfaqësuesi i Qendrës për Mbrojtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri (EcoAlbania), Olsi Nika, tha se së bashku me Qendrën Rajonale të Mjedisit kanë prodhuar vetëm raportin sesi duhet të funksionojë kanali i komunikimit të shpërndarjes së informacionit.

Ai tha se është realizuar edhe një analizë me ekspertët për mekanizmat ligjorë përkatës, duke nxjerrë në pah, sipas tij, mangësitë e procesit të menaxhimit të informacionit mjedisor në Shqipëri.

“Të kritikosh është e lehtë, por të ofrosh alternativa e të japësh ide është pjesa ku do më shumë punë dhe inovacion. Ne jemi munduar të japim dy tre shembuj të thjeshtë se si qytetarët të jenë më të vëmendshëm ndaj faktorëve që ndotin mjedisin dhe ndaj faktorëve që shkaktojnë dëmtime në mjedis. Ne jemi munduar të thjeshtëzojmë gjithashtu edhe informacioni mjedisor, që ai të jetë i kuptueshëm edhe nga publiku”, u shpreh Nika.

Sipas tij informacioni mjedisor është i gjerë në Shqipëri, por studimi është ndalur tek pjesa e raportit të gjendjes së mjedisit në Shqipëri.

“Është bërë një analizë sa i përket të gjithë ndryshimeve që ka pësuar kuadri ligjor dhe institucional në Shqipërinë post komuniste si është menaxhuar informacioni mjedisor, si janë prodhuar raportet e gjendjes së mjedisit etj. Është marrë në analizë gjithashtu edhe metodologjia që ndjek Agjencia Kombëtare e Mjedisit për prodhimin e informacionit mjedisor si dhe përsa i përket shpërndarjes së informacionit mjedisor, përmes një strategjie komunikimi”, deklaroi Nika.

Në aktivitet u theksua se aksesi në informacionin mjedisor në Shqipëri vazhdon të jetë problematik, pavarësisht zhvillimeve të fundit në kuadrin ligjor dhe institucional, sidomos mungesa e përditësimit të tij. Vlerësimi i situatës lidhur me monitorimin dhe menaxhimin e tij, sipas organizatorëve, është i nevojshëm në kuadër të përfshirjes më të madhe dhe shpërndarjes më të lehtë tek qytetarët.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın