Figen Shaban
15 Shtator 2017•Përditësim: 16 Shtator 2017
PRISHTINË (AA) - Kuvendi i Republikës së Kosovës sot shënoi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, duke i hapur dyert për vizitorë të shumtë nga nxënësit e shkollave të ndryshme të kryeqytetit, studentët dhe qytetarët ku ata morën pjesë në aktivitete të ndryshme në ambientet e Kuvendit dhe u njohën për së afërmi me punën e përfaqësuesve të zgjedhur të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi i cili mbajti fjalimin hyrës të këtij aktiviteti theksoi se motoja globale e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë për këtë vit është “Demokracia dhe parandalimi i konfliktit”, i organizuar nga forumi për transparencë parlamentare në bashkëpunim me partnerët e Kuvendit.
Krasniqi tha se Kuvendi i Kosovës shënon numër rekord të vizitave që i bëhen objektit të tij duke bërë të ditur se përveç vizitave individuale Kuvendin çdo ditë e vizitojnë grupe të fëmijëve të shkollave të ndryshme ku mesatarja është 60 vizita në ditë.
“Kuvendi ka organizuar aktivitete të shumta të cilat do të përcjellin mesazhe të plota se sa është i rëndësishëm institucioni ynë për të forcuar institucionet demokratike, për të promovuar paqe dhe stabilitet, një qasje më të integruar dhe gjithëpërfshirëse me respekt për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, për t'u përfshirë në axhendat globale”, tha Krasniqi.
Ndërsa, hapjen e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë në Kuvend e bëri deputeti dhe përfaqësuesi i Forumit për Transparencë Parlamentare në Kuvendin e Kosovës, Zenun Pajaziti duke iu dëshiruar mirëseardhje të gjithë të pranishmëve në Kuvend.
Në anën tjetërt në oborrin e Kuvendit të Kosovës ishte hapur edhe Panairi i organizatave të shoqërisë civile si OJQ-të, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), TOKA, Demokracia në Zhvillim -D4D ku nxënësit e shkollave fillore filluan aktivitete të jashtme me lojëra të ndryshme.
Allen Meta nga organizata joqeveritare, “Demokracia në Zhvillim- D4D” tha se në këtë panair kanë paraqitur disa punime të cilat i ka bërë D4D prej themelimit e deri tani.
Meta theksoi se D4D gjatë tërë kohës përmes punimeve të saj tenton të avokojë sa më shumë tek partitë politike, tek Kuvendi dhe institucionet tjerat relevante që sa më shumë të ndikojë në zhvillimin e demokracisë. “Ne shpresojmë që përmes rritjes së numrit të grave si në partitë politike po ashtu edhe në Kuvendin e Kosovës demokracia do të zhvillohej edhe më shumë”, tha Meta.
Gjatë aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë në Kuvendin e Kosovës do të zhvillohet edhe sesioni i pikturimit nga nxënësit, kuiz mbi demokracinë, punëtori për demokraci, forum diskutimi dhe shumë aktivitete të ndryshme.